“Bordi i Menaxhimit të Parkut të Butrintit do të përbëhet nga pesë persona të cilët nuk do të paguhen”, – u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti në një intervistë për Fax News.

Margariti sqaroi se ky bord do të menaxhonte të ardhurat që do të fitoheshin nga shërbimet shtesë që ofroheshin ndërsa sqaroi se ajo personalisht do të qëndronte në krye të këtij bordi anëtarët e të cilit nuk do të paguheshin për detyrën që do të kryejnë.

“Sot aktualisht kemi 5 persona në këtë bord. Drejtori aktual i këtij bordi është një arkeolog shqiptar.

Ministria e Kulturës do të jetë e përfaqësuar nga 2 persona dhe 2 të tjerë do jenë nga fondi shqiptaro-amerikan. Gjithashtu do të ketë edhe një specialist të huaj nga jashtë.

Bordi nuk ka asnjë pagesë, nuk jemi në bordin e vendimmarrjes për arsyen e pagesës dhe ky bord do të drejtohet nga ministri i Kulturës. Ministria në këtë rast nuk është në krye të bordit për të marrë një pagesë shtesë”– tha Margariti.

Ndër të tjera, Margariti pohoi se çmimi i biletave do të pësonte rritje por kjo rritje do të përkthehej në të ardhura më të larta të cilat do të investoheshin në ndërtimin e një hyrje dinjitoze për Parkun e Butrintit.

“Patjetër që në shërbimet e shtuara, kemi nevojë të kemi një hyrje dinjitoze. Besoj se e keni parë se një nga elementet më pak dinjitozë të këtij parku është hyrja, e parkimit. Do të evitojmë tërësisht aksesin e makinave pranë parkut. Kemi evidentuar një hapësirë nga 1.5 deri në 2 km larg hyrjes së parkut ku mund të jetë arritja e vizitorëve, do të ketë guida, vende ku mund të blihen libra etj. Një qendër vizitorësh e tillë është një pikë që ofron dinjitet. Patjetër që do ketë një kosto shtesë të biletës, kjo ndodh kudo nuk është një shpikje shqiptare. Këto të ardhura do të derdhen në arkën e parkut të Butrinit të cilat do të investohen në shërbime ndaj vizitorëve”– u shpreh ministrja.

në Facebook, klikoni Join Group

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re