“Do të jem në Uashington për themelimin zyrtar të Bordit të Paqes”.

Kështu deklaroi gjatë podcastit të kësaj të diele kryeministri Edi Rama.

Sipas tij, Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme.

Shënimi i fundit është i lidhur me jetën ndërkombëtare, nëse mund ta quaj kështu. Më ka ardhur këtë javë ftesa nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për të vizituar Uashingtonin në ditët në vijim për atë që e kam paralajmëruar, kur ajo tufa e bombave artizanale, plaste dhe kërciste edhe në sallën e Kuvendit, me gjithfarëlloj pretendimesh që sot i nxjerrin përsëri qesharakë, duke thënë se unë nuk shkoj dot, se mua s’më kanë ftuar,se,se,se… Dhe faktikisht, siç e paralajmërova, do të jem në Uashington për themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe për fillimin e aktivitetit të atij bordi, ku Shqipëria ka privilegjin të jetë shtet themelues dhe ku Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet, deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes“, u shpreh kryeministri Rama.

Shtëpia e Bardhë po planifikon zhvillimin e takimit të parë të nivelit të lartë të “Bordit të Paqes”, i cili do të mbahet më 19 shkurt në Washington.

Ky samit nuk do të jetë vetëm diplomatik, por do të shërbejë edhe si një konferencë e madhe donatorësh për mbledhjen e fondeve për rindërtimin e Gazës. Një ditë më herët, më 18 shkurt, Presidenti Trump do të presë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, për të koordinuar hapat e fundit përpara aktivizimit të Bordit.

Në këtë strukturë të re marrin pjesë 26 vende, mes të cilave Shqipëria dhe Kosova kanë konfirmuar praninë e tyre. Më 28 janar, Parlamenti i Shqipërisë votoi me një konsensus të rrallë prej 110 votash pro, duke autorizuar kryeministrin për përfaqësim në këtë organizatë.

 

Ky takim shënon mbledhjen e parë zyrtare pas asaj themeluese që u mbajt gjatë Samitit të Davosit më 20 janar 2026.

Bordi, i drejtuar personalisht nga Donald Trump, synon të marrë në dorë qeverisjen e përkohshme të Gazës, por ambiciet e tij shkojnë më tej. Trump ka deklaruar se ky mekanizëm do të zgjerohet për të trajtuar konfliktet globale, duke ngjallur dyshimet dhe skepticizmin e aleatëve perëndimorë, të cilët i druhen minimit të rolit tradicional të Kombeve të Bashkuara.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re