Kreu i diplomacisë europiane Josep Borrell i tha Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se “BE nuk do të qetësohet derisa vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian”.

“Për këtë qëllim, ne jemi mobilizuar plotësisht për të mbështetur pajtimin dhe reformat si antidoti më i mirë ndaj retorikës nacionaliste,” tha Borrell.

Në fjalën e tij, ai njoftoi se një takim i ri i dialogut midis Serbisë dhe Kosovës do të mbahej javën e ardhshme në Bruksel, organizuar nga BE.

Borrell foli para Këshillit të Sigurimit të KB, në një sesion kushtuar bashkëpunimit KB-BE, për rolin dhe mbështetjen që Bashkimi Evropian i jep ruajtjes së paqes dhe sigurisë globale, bashkëpunimit me KB dhe organizatat rajonale.

Ai përmendi Ballkanin Perëndimor si shembull të “angazhimit të thellë” të BE, ku nevojiten “rezultate urgjente”.

Përveç Ballkanit Perëndimor, Borrell përmendi gjithashtu Bjellorusinë, Ukrainën dhe Lindjen e Mesme.

 “Ne nuk duam konkurrencë gjeostrategjike në Evropë. Ne duam një lagje paqësore, të begatë dhe të qëndrueshme, pa të ashtuquajturat konflikte të zgjatura dhe zona të ndikimit,” theksoi Borrell.

Ai bëri thirrje për ringjalljen e multilateralizmit bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe theksoi se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për bashkëpunimin dhe parimet e Kombeve të Bashkuara.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re