Dhuna ndaj grave është shkelje e të drejtave të njeriut dhe nuk ka vend në Bashkimin Evropian ose kudo tjetër në botë, tha ministri i Jashtëm i BE Josep Borrell të hënën, përpara Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave në 25 nëntor.

“Shkalla e problemit mbetet alarmante: një në tre gra në BE ka përjetuar dhunë fizike dhe / ose seksuale,” paralajmëroi ai.

Dhuna në përgjithësi nuk raportohet dhe shumë abuzues mbeten të pandëshkuar.

“Dhuna ndaj grave dhe vajzave është shkelje e të drejtave të njeriut dhe nuk ka vend në BE ose kudo tjetër në botë,” theksoi Borrell.

“Dhuna ndaj grave ekziston në çdo vend, kulturë dhe komunitet. Pandemia COVID-19 ka treguar edhe një herë se për disa gra, edhe shtëpia e tyre nuk është një vend i sigurt.”

Të gjithë të nënshkruajnë Konventën e Stambollit

“Ndryshimi është i mundur, por kërkon veprim, angazhim dhe vendosmëri. BE është e vendosur të vazhdojë të punojë pa u lodhur me partnerët e saj për të hetuar dhe ndëshkuar dhunën, për të siguruar mbështetje për viktimat dhe në të njëjtën kohë për të adresuar shkaqet dhe për të forcuar kornizën ligjore,” tha Borrell.

Borrell kujtoi se BE, përmes iniciativës së saj “Spotlight”, e cila nisi në 2017, në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, duke dhuruar 500 milion euro, tashmë po lufton dhunën ndaj grave në 26 vende të botës.

Ai njoftoi se Komisioni Evropian do të paraqesë një plan të ri veprimi për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në veprimin e tij të jashtëm këtë javë.

Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve anëtare të ratifikojnë Konventën e Stambollit, instrumenti i parë ligjërisht i detyrueshëm në nivelin ndërkombëtar për të luftuar dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje.

“Qëllimi ynë është shumë i qartë: t’i japim fund të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe vajzave. Ne ua kemi borxh të gjitha viktimave,” përfundoi Borrell.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re