Përfaqësuesi i Lartë i BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borell bëri thirrje për “ndërtimin e urave” midis bllokut dhe Turqisë.

“BE ka një interes strategjik në zhvillimin e një marrëdhënieje bashkëpunuese dhe reciproke efektive me Turqinë,” tha Borrell në një blog mbi politikën e jashtme të BE.

Duke iu referuar tensioneve të vitit të kaluar mbi Mesdheun lindor, Borrell tha se “situata mbetet e brishtë, por që BE mirëpret zhvillimin dhe gjestet e ardhshme të Turqisë dhe është përgjigjur duke zgjatur dorën”.

Gjatë një samiti virtual, udhëheqësit e BE diskutuan një raport mbi të ardhmen e marrëdhënieve Turqi-BE, të përgatitur nga Borrell dhe Komisioni Evropian dhe vendosën të vazhdojnë negociatat për një axhendë konstruktive.

Sipas Borrell, ekonomia është një nga fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit, pasi eksportet e Turqisë në BE janë gjithsej 69.8 miliardë euro (81,8 miliardë dollarë) dhe vendi merr 58.5 miliardë euro (68.6 miliardë dollarë) nga BE në investimet e tyre të huaja direkte.

Në të njëjtën kohë, ai pranoi se blloku dhe Turqia kanë një marrëdhënie të tensionuar në katër çështje kryesore, përkatësisht Mesdheun Lindor, çështjen e Qipros, konfliktet rajonale si Libia dhe Siria, si dhe standardet demokratike.

“Mosmarrëveshjet e vjetra prekin thellë interesat e sigurisë së Bashkimit Evropian dhe nuk mund të konsiderohen më vetëm çështje bilaterale midis Turqisë dhe disa vendeve anëtare,” tha Borrell.

Turqia i ka rezistuar përpjekjeve të Greqisë për ta kthyer një mosmarrëveshje me të mbi kufijtë detarë në një mosmarrëveshje me Bashkimin Evropian.

Borrell gjithashtu tha se “standardet demokratike mbeten një element kryesor, jo vetëm për BE, por gjithashtu për popullin e Turqisë”.

“Eshtë koha për të kapërcyer dallimet në një mënyrë konstruktive dhe për të ndërtuar këtë urë. Besoj se mund ta bëjmë atë,” tha Borrell.

Duke lënë të kuptohet mundësinë e pranimit të Turqisë në BE, ai tha se Turqia është një fuqi e rëndësishme rajonale dhe “fati i saj historik mund të jetë bashkimi me pjesën tjetër të Evropës në një projekt të vetëm paqeje që ne po ndërtojmë nën flamurin e Bashkimit Evropian”.

 Ursula von der Leyen dhe Charles Michel, krerët e Komisionit Evropian dhe Këshillit të Evropës, do të vizitojnë Turqinë të martën e ardhshme për të diskutuar të ardhmen e marrëdhënieve Turqi-BE me presidentin Rexhep Tajip Erdogan.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re