Ka një përmirësim të situtës së helmimit në Krujë, ku sipas burimeve të Fax Neës, numri i personave që kanë marrë mjekim në spital deri tani ka shkuar në 500.

Në 24 orët e fundit ka pasur një rënie të numrit të personave që shfaqen me shenja helmimi në spital, ndërkohë që shumë prej qytetarëve shprehen se kanë marrë trajtim në banesë.

7 fëmijë ndodhen ende të shtruar në spitalin e Krujës, mes tyre dhe një 1-vjeçar, ndërkohë që nuk përjashtohet edhe fakti që shumë prej personave vuajnë dhe nga virozat stinore.

I gjithë qyteti prej 2 ditësh nuk ka furnizim me ujë, ndërkohë që vazhdimisht qytetarët kanë shprehur pakënaqësi për ujësjellësin, që sipas tyre kishte papastërti. Në analizat paraprake bëjnë me dije burimet se uji ka pasur prani të lartë të amoniakut.

Banorët që shkuan për mjekim në spital kishin dhimbje koke, marrje mendsh dhe të vjella. Shumë prej tyre mbahen pak kohë në spital, dhe më pas dërgohen në banesë.

“Nuk pihet uji, përherë kështu ka qenë, nuk bën, krejt llum dhe krejt mbeturina”.

“Në letra shkruhet uji i pijshëm”.

“Jo skemi ujë nëpër shtëpi, kemi merak ujin që vjen me bote, thjesht e kemi blerë në dyqan dhe kaq. E gjithë Kruja ka dalë me probleme. Kam djalin shumë keq, edhe unë jam me kriza stomaku, ka 4 ditë që është i sëmurë djali. Vendi më i varfër këtu në Krujë është, ne punojmë për një copë bukë thatë. Lekë borxh do marr dhe ujin do ta ble. Djali 32 vjeç është shumë sëmurë”.

“Mua dje më kanë pru ujë te lagjja, bashkia, jemi të kënaq. Por edhe kemi blerë, vetë kam qenë tu vdek dje, kam pirë ujë në lokal, dhe siç duket më ka dhënë probleme”.

“Ato që kishte për të më bërë spitali, i kam bërë në shtëpinë time. Kanë qenë ditë të vështira, kemi ngelur kovë pusi, një kryetar bashkie që nuk vjen njëherë në zyrë”.

Ndërkohë pacientë brenda spitalit tregojnë: “Kemi temperaturë, dhimbje koke, vetëm unë jam i sëmurë nga familja. Tani jam më mirë, të shohim tani”.

“Ka pasur fluks sa të duash”, thotë një tjetër pacient.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re