Ilir Meta ka reaguar sërish në lidhje me rritjen e borxhit publik nga ana e qeverisë.
Meta shkruan se futja në borxh bëhet me qëllim përmirësimin e ekonomisë dhe jo për përkeqësimin e saj, siç ndodh në vendin tonë.
eta citon një raport të një instituti të huaj, sipas të cilit, brenda dy viteve të fundit Shqipëria ka përkeqësuar me tre shkallë treguesin e prosperitetit, duke rënë në vendin e 69-të për vitin 2021, nga vendi i 66-të, që ndodhej në 2019.
Reagimi i Metës:
BORXHI PUBLIK NË MAJË, POR PROSPERITETI PËRTOKË!
Futesh në borxh për t’u përmirësuar dhe jo për t’u përkeqësuar! Në të kundërt ndodh me vendin tonë.
Sipas Indeksit të Prosperitetit, të përgatitur nga Legatum Institute, institucion i pavarur prestigjoz i përpunimit të statistikave që vijnë nga burime të besueshme, rezulton se vetëm brenda dy viteve të fundit Shqipëria ka përkeqësuar me tre shkallë treguesin e prosperitetit, duke rënë në vendin e 69-të për vitin 2021, nga vendi i 66-të, që ndodhej në 2019.
Në terma konkretë, qëndrueshmëria fiskale, dinamizmi ekonomik, fuqia punëtore janë ndër më të ulëtat në Europë.
Në pikiatë rezultojnë cilësia e qeverisjes, e ekonomisë, zbatimi i ligjeve, respektimi i të drejtave të pronësisë, zbatimi i kontratave dhe detyrimeve.
Cilësia e jetës së qytetarëve shqiptarë ka rënë në tërësi dhe pothuajse jemi ndër të fundit në botë për besimin ndaj institucioneve.
Gjendja është e rëndë dhe përkeqësimi nuk ndalet!
Reflektimi i menjëhershëm, efektiv dhe i përgjegjshëm është domosdoshmëri!