Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti përfaqësuesit e komunitetit boshnjak dhe shqiptar që jetojnë në Serbi, të cilët kanë kërkuar reciprocitet në të drejtat që kanë serbët në Kosovë.

Kurti i ka njoftuar për elementet e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Të drejtat e komuniteteve joshumicë në vendet tona pasqyrojnë demokracinë dhe zhvillimin tonë si shoqëri. Për dallim nga Serbia, pasi që Freedom House e klasifikon si shtet me regjim hibrid, Republika e Kosovës është shtet demokratik me të drejta dhe liri për të gjithë”, ka theksuar Kurti.

Ai shtoi se komunitetet e ndryshme duhet të trajtohen pa dallim në kuadrin e parimeve universale dhe në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian.

Bashkëbiseduesit ranë dakord se për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor duhet të ketë një simetri të të drejtave dhe jo akses të privilegjuar ndaj pakicës apo komunitetit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re