Vendimi i qeverisë së Kosovës për të tarifuar me 10 përqind produket e importuara nga Bosnja dhe Serbia, ka sjellë dhe një reagim të ashpër nga Sarajeva.

Kreu i Dhomës së Tregtisë së Jashtme të Bosnjës, Ahmet Egrliç, tha se vendimi shkel marrëveshjen CEFTA në kuadër të Stabilizim Asociimit.

“Ky është një alarm dhe njerëzit përgjegjës në të dy vendet duhet urgjentisht të takohen dhe të trajtojnë shkaqet e këtij vendimi”, tha Egrliç.

“Kjo nuk është një masë e mirë e ndërmarrë nga  Kosova. Palët duhet të parandalojnë këtë gjë”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, zv/kryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se vendimi është në zbatim të reciprocitetit në marrëdhëniet me dy vendet.

Ai gjithashtu deklaroi se vendimi ishte dhe një mesazh për Serbinë që ta kuptonte se duhej të  “paguante çmimin” për çdo sjellje negative.

“Për një kohë të gjatë po informojmë institucionet evropiane në lidhje me sjelljen skandaloze të Serbisë dhe institucioneve të saj ndaj të drejtave të njeriut dhe të lirive ekonomike të qytetarëve të Kosovës”, shkroi Pacolli në Facebook.

Por për vendimin e qëverisë “Haradinaj” reagoi dhe BE, ku nga Brukseli iu kërkua Prishtinës që të shpjegojë vendimin dhe pret që kjo masë revokohet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re