Përpara se të merrte pjesë në konferencën ndërkombëtare të Forumit të Dubrovnikut në panelin “Ballkani Perëndimor: Momenti i ri Euro-Atlantik”, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar komentoi situatën aktuale në rajon, veçanërisht duke iu referuar krizës në Bosnje dhe Kosovë.

Escobar e quajti Milorad Dodikun “zëdhënësin më të madh të Putinit”, kërcënoi me sanksione të reja nëse RS vendos të nisë një referendum mbi statusin e asaj njësie dhe pranoi se situata në Bosnje në pjesë të caktuara i kujton atij situatën e paraluftës në vitet 1990.

“Milorad Dodik është një nga zëdhënësit më të mëdhenj të regjimit të Putinit. Ai e lavdëron Putinin më shumë se Lukashenko. Ky është një trend shqetësues. Rusia po mbështetet te Dodik për të zhvendosur Bosnjën nga rruga e saj drejt BE-së. Ne jemi të shqetësuar seriozisht nga kjo që po ndodh atje”, u tha Escobar gazetarëve në Zagreb.

Pak ditë më parë, Dodik paralajmëroi mundësinë e fillimit të një referendumi për statusin e Republikës Srpska deri në Vitin e Ri, si një nga format e “luftës politike” me të cilën synon të kundërshtojë kërcënimet e bashkësisë ndërkombëtare.

“Nëse vërtet ndodh, ne do të reagojmë shumë fuqishëm. Nuk do të ketë shpërbërje të Bosnjës, SHBA nuk do të heqë dorë nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit dhe detyrimet tona ndaj atij vendi.

Shpresojmë që Dodik të mos shkojë aq larg dhe të jetë thjesht retorikë politike. Por nëse jo, ne jemi të gatshëm të reagojmë me mjete politike si sanksionet”, tha Escobar.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re