SHBA po del nga faza kritike e pandemisë

Teksa gjysmë milion njerëz në botë kanë humbur jetën nga Covid-19 që kur u zbulua për herë të parë në nëntor varianti Omicron i koronavirusit, këshilltari kryesor për mjekësinë i Presidentit Biden thotë se Shtetet e Bashkuara po dalin nga “faza kritike e pandemisë” së koronavirusit.

Kjo është një statistikë tepër sensibilizuese – si dhe një kujtesë për fatalitetet e vazhdueshme nga Covid, edhe pse numri i rasteve ka filluar të zvogëlohet në pothuajse çdo shtet të SHBA.

Rreth 100,000 humbje jete nga kjo shifër totale e fataliteteve që kur Omicron u shpall një “variant shqetësues” i përkasin Shteteve të Bashkuara, tha të martën Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Menaxheri i incidenteve të OBSH-së, Abdi Mahamud, tha në një seancë pyetjesh dhe përgjigjesh në internet se numri i të vdekurve është “tragjik” duke pasur parasysh disponueshmërinë e “vaksinave efektive”. Ai tha se ka pasur 130 milionë raste të raportuara të koronavirusit në mbarë botën që nga fillimi i Omicron.

Anthony S. Fauci tha për Financial Times se vendimet për kufizimet në lidhje me koronavirusin në Shtetet e Bashkuara do të merren gjithnjë e më shumë në nivel lokal, “pasi të përfundojë faza kritike e pandemisë së Covid-19, nga e cila sigurisht po largohemi.”

“Do të ketë gjithashtu më shumë njerëz që marrin vendimet e veta për mënyrën se si duan të përballen me virusin,” tha ai për gazetën.

Në Shtetet e Bashkuara, rastet me Covid ranë me 44 për qind në javën e kaluar krahasuar me shtatë ditët e mëparshme, sipas Washington Post. Gjithashtu, edhe shtrimet në spital si rezultat i Covid-19 pësuan rënie gjatë së njëjtës periudhë.

Megjithatë, mesatarja shtatëditore e vdekjeve gjatë përhapjes së Omicron ka arritur në 2,600 ditët e fundit, niveli më i lartë për SHBA në një vit.

Në rang global, fatalitetet nga koronavirusi u rritën për të pestën javë radhazi, me 68,000 humbje jete të raportuara javën e kaluar, që përbëjnë një rritje prej 7 për qind nga java e mëparshme.

Javën e kaluar, shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha në një konferencë shtypi se vdekjet nga Covid po rriten në shumë pjesë të botës. Ai paralajmëroi se do të ishte “e parakohshme për secilin vend që të dorëzohet ose që të shpallë fitoren” kundër koronavirusit.

“Ne jemi të shqetësuar për narrativën që po përhapet në disa vende se, për shkak të vaksinave, të transmetueshmërisë së lartë të Omicron dhe të pasojave të tij më të lehta shëndetësore, parandalimi i transmetimit nuk është më as i mundur dhe as i nevojshëm” – tha ai. “Asgjë nuk mund të jetë më larg të vërtetës se kjo.” /Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re