Bota e modës është tronditur ditën e sotme, pas lajmit tragjik të ndarjes nga jeta të stilistit të famshëm italian, Sergio Rossi.

Themeluesi i markës ikonike të këpucëve me të njëjtin emër, është shuar në një spital në Cesena në moshën 84-vjeçare, ku ishte shtruar pas prekjes nga COVID-19.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetarja e bashkisë së qytetit të tij të lindjes, e cila theksoi kontributin e jashtëzakonshëm që kompania e tij kishte dhënë në zhvillimin ekonomik të Cesena-s.

Në nderim të tij, i biri Gianvito Rossi gjithashtu stilist këpucësh, ka bërë një dedikim prekës për të atin.

“Me zjarrin e pashuar të pasionit tënd, na mësove që nuk ka kufij për ata që dashurojnë atë që bëjnë. Mirupafshim mjeshtër!”-shkruan ai.

Sergio Rossi, i konsideruar një mjeshtër i vërtetë i këpucëve italiane, e nisi punën e tij në fillim të viteve ’50, në hapat e të atit që gjithashtu shquhej si një prodhues këpucësh në Cesena.

Me kalimin e viteve ai pati bashkëpunime tejet të suksesshme edhe me emra të tjerë të famshëm si Versace apo Dolce & Gabbana, duke lënë pas një trashëgimi të vyer për industrinë e modës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re