Skip to content

Botërori 2026/ 500 milionë kërkesa për bileta nga 211 vende

Më shumë se 500 milionë kërkesa ka marrë FIFA për biletat e finaleve të Botërorit 2026, që do të mbahet verën e ardhshme në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Për një kërkesë kaq të lartë, janë 7 milionë bileta në dispozicion, ku një pjesë e tyre është marrë në fazat e mëparshme. Në fund të dhjetorit ishin rreth 150 milionë aplikime, ndërsa dy javë më vonë kjo kërkesë u trefishua. Infantino tha se kërkesat janë nga të gjitha vendet anëtare.

“Kemi marrë kërkesa nga të 211 vendet anëtare të FIFA-s. Ne po organizojmë, me të gjitha qytetet mikpritëse, shumë aktivitete për tifozët që do të vijnë ta ndjekin nga afër Kupën e Botës”, thotë Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Pas vendeve organizatore, më shumë kërkesa ka pasur nga Gjermania, Anglia, Brazili, Spanja, Portugalia, Argjentina dhe Kolumbia.

Ky do të jetë turneu i parë me 48 ekipe, ku do të luhen 104 ndeshje.

Shqipëria është ende në garë për një vend në finalet e Botërorit 2026, që kalon nga play-off-i, ku më 26 mars do të luajë me Poloninë në Varshavë dhe, nëse e kalon me sukses, ndaj fituesit të takimit Ukrainë–Suedi më 31 mars, po në transfertë.