Tregu i kriptomonedhave po rritet me hapa të shpejtë dhe është prezent edhe në Shqipëri.

 

Vendi ynë ka miratuar një kuadër ligjor që rregullon tregun e valutave virtuale, por pavarësisht kësaj, asnjë subjekt nuk është paraqitur pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për t’u licencuar.

 

Për pasojë, veprimtaria që ushtrohet sot, kryesisht përmes call center-ave, është ilegale.

 

Ky shqetësim u ngrit edhe nga deputeti socialist, Erion Braçe gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë ku kerkoi një monitorim më të mirë të tregut dhe luftë ndaj fenomenit tw mashtrimit.

 

 

ERION BRAÇE

DEPUTET I PS

 

“Ju thoni që unë monitoroj dhe merrem vetëm me tregun legal, të ligjshëm. Por kur ky treg është thuajse zero dhe ndërkohë që tregu i zi në këtë fushë ka marrë përnasë, është bërë i madh dhe i prin paraja e krimit të organizuar, korrupsioni vjen më poshtë, ky duhet të përbëjë shqetësim për çdo institucion. Duhet të asistoni që ky fenomen të goditet.”

 

Por AMF-ja, që jep licenca për të interesuarit për kriptovalutat, thotë se nuk është në tagrin e saj të mbikëqyrë një treg informal, por e organeve të tjera ligjzbatuese.

 

 

ERVIN METE

KRYETAR I AMF

 

“Ne nuk kemi tagër ligjor për të mbikëqyrur veprimtari të palicencuar. Kjo përbën vepër penale dhe kriminale dhe është tagër i organeve të tjera ligjzbatuese. Aktivitete mund të ketë jashtë licencimit, ne kemi referuar në prokurori dhe polici 3 subjekte për të cilat kemi pasur indicie dhe një të katërt që na është vënë në dijeni nga një autoritet i huaj rregullator.”

 

 

Kriptovalutat mbështeten në një sistem të decentralizuar, që e thjeshton kryerjen e transaksioneve me to.

 

Nëpërmjet tyre mund të transferohen shuma parash pa hyrë në sistemet e pagesave që përdorin monedhat tradicionale dhe duke shmangur institucionet ndërmjetëse. Si rrjedhojë, të vepruarit jashtë sistemeve të zakonshme të pagesave krijon më shumë hapësira që kriptovalutat të përdoren për pastrim parash.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re