LSI deklaroi sërish se 25 prilli ishte një masakër e vërtetë zgjedhore.

Në një dalje për mediat, sekretari i LSI-së, Endrit Braimllarit pohoi se Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve nuk vlerësoi asnjë fakt nga kjo masakër zgjedhore.

Në emër të LSI-së, Braimllari tha se këto fakte tronditëse të manipulimit masiv të procesit zgjedhor nuk e kanë zgjuar SPAK që të veprojë.

Ai tha më tej se LSI nuk do të ndalet deri në fund për të zbardhur të vërtetën e masakrës zgjedhore.

Fjala e plotë:

Është e qartë për opinionin publik që 25 prilli ishte një masakër e vërtetë zgjedhore.

Masakra zgjedhore tani është e vërtetuar me prova dhe me fakte konkrete.

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve nuk vlerësoi asnjë fakt nga masakra zgjedhore e 25 prillit.

Refuzimi i kërkesave të opozitës për të dhënat mbi emërimet në 61 bashkitë e vendit, gjatë periudhës zgjedhore në kundërshtim me ligjin dhe Kodin Zgjedhor, rritje fiktive të ndihmës ekonomike, lejimi i ndërtimeve pa leje për interesa elektorale, fakt që e pranon dhe vetë qeveria e Rilindjes.

Masakra elektorale vijoi me shtetas që kanë votuar disa herë, në kutitë e votimit kishte më shumë fletë votimi sesa votues, numërues të rilindjes që plotësojnë me stilolaps fletët e votimit për partinë në pushtet.

Këto fakte tronditëse të manipulimit masiv të procesit zgjedhor nuk e kanë zgjuar SPAK që të veprojë për të vënë përpara drejtësisë të gjithë zyrtarët që kanë abuzuar me ligjin dhe për të zbardhur të vërtetën për opinionin publik.

E gjithë vëmendja duhet të fokusohet tek zbardhja e masakrës zgjedhore të 25 prillit.

Sepse këto fakte tronditëse mjaftojnë për të vërtetuar që zgjedhjet e 25 prillit kanë rënë.

LSI nuk do të ndalet deri në fund për të zbardhur të vërtetën e masakrës zgjedhore të 25 prillit dhe për të çuar në vend vullnetin e qytetarëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re