Brain rot’ ose “kalbja e trurit” është shpallur si fjala e vitit në Oxford për vitin 2024, mes shqetësimeve për lëvizjet e pafundme të mediave sociale dhe përmbajtjet që të mpijnë trurin

Brain rot’ ose “kalbja e trurit” është shpallur si fjala e vitit në Oxford për vitin 2024, mes shqetësimeve për lëvizjet e pafundme të mediave sociale dhe përmbajtjet që të mpijnë trurin.

Më shumë se 37 mijë njerëz votuan për të ndihmuar në zgjedhjen e fituesit nga një listë e shkurtër prej gjashtë fjalësh e hartuar nga Oxford University Press, botuesi i Oxford English Dictionary.

Çmimi i tij vjetor, fituesit e mëparshëm të të cilit kanë përfshirë “rizz” (shkurtimi për karizmën – ed.) dhe “climate emergency”, synon të pasqyrojë disponimin dhe tendencat e vitit.

Kalbja e trurit përkufizohet si “përkeqësimi i supozuar i gjendjes mendore ose intelektuale të një personi, veçanërisht i parë si rezultat i mbikonsumimit të materialit (tani veçanërisht përmbajtjes në internet) që konsiderohet si i parëndësishëm ose josfidues”.

Oxford University Press tha se termi “fitoi rëndësi të re në vitin 2024 si një term i përdorur për të kapur shqetësimet rreth ndikimit të konsumimit të sasive të tepërta të përmbajtjes me cilësi të ulët në internet, veçanërisht në mediat sociale”.

Pavarësisht rritjes së saj kohët e fundit në rëndësi, përdorimi i parë i regjistruar ishte në librin Walden të Henry David Thoreau në 1854.

“Kalbëzimi i trurit flet për një nga rreziqet e perceptuara të jetës virtuale dhe se si po e përdorim kohën tonë të lirë. Nuk është për t’u habitur që kaq shumë votues e përqafuan termin, duke e miratuar atë si zgjedhjen tonë këtë vit”, tha Casper Grathwohl, president i Oxford Languages.

Pesë fjalët e pasuksesshme në listën e ngushtë përfshinin “demure“, e cila u bë e njohur pas një tendence të mediave sociale gjatë verës që i referohet sjelljes së rezervuar ose të përgjegjshme; “dynamic pricing”, ku çmimi i një produkti ose shërbimi ndryshon për të reflektuar kërkesën; “lore“, një grup faktesh dhe informacionesh të prapavijës të cilat lidhen me dikë ose diçka; “romantasy”, një zhanër fiktiv që ndërthur romancën dhe fantazinë; dhe “slop“, përmbajtje me cilësi të ulët në internet të krijuar duke përdorur inteligjencën artificiale.

Lista e ngushtë u vendos nga një panel prej katër ekspertësh, i kryesuar nga leksikografja Susie Dent, më e njohur për paraqitjet e saj në Countdown të ​​Channel 4, raporton The Guardian.

Oxford University Press mori parasysh votimin e publikut kur zgjodhi fituesin, si dhe komentet publike dhe analiza të tjera përpara se ta shpallte atë të dielën në mbrëmje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re