Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, Ervin Bushati, i ftuar në emisionin ‘Me Xhaxhiun’ nga Rezear Xhaxhiu, në studion e ‘Fax News’, ka komentuar aktualitetin politik në vend, teksa është fokusuar kryesisht tek mbyllja e këtij sesioni parlamentar dhe tek ligjet dhe aktet më të rëndësishme të miratuara nga mazhoranca, ku ai ka qenë edhe deputet, në parlamentin që zhvilloi sot seancën e fundit plenare.
Sipas Bushatit, këto katër vitet e fundit të qeverisjes socialiste nuk kanë qenë aspak vite të lehta për vendin, ku përmendi këtu bojkotin e opozitës nga parlamenti, veprim që e cilësoi si shumë të dënueshëm jo vetëm nga politika, por edhe nga qytetarët shqiptarë, të cilët i dhanë kësaj opozite ndëshkimin e merituar në zgjedhjet që sapo lamë pas, ato të 25 prillit.
“Këto kanë qenë vite shumë të vështira për shoqërinë shqiptare, kështu që do mbahet mend për sfidat që ka kaluar. Parlamenti është pjesë e shoqërisë dhe shoqëria shqiptare ka kaluar një tërmet, një pandemi dhe për shkak të politikës një bojkot të zgjatur, pak të dhunshëm nga pjesa e atyre që protestonin, megjithatë ka arritur që të bëjë shumë. Akti i largimit të opozitës nga parlamenti është shumë i dënueshëm. Jo vetëm ne, por edhe qytetarët shqiptarë e kanë dënuar këtë akt tyrin. Dhe këtë e treguan edhe në zgjedhjet që sapo lamë pas, ku votëbesuan sërish mazhorancën aktuale, duke i dhënë një mandat të tretë.”, deklaroi Bushati.
Ndërkohë, i pyetur se cilat ishin ato ligje të kaluara nga mazhoranca që ata i cilësojnë si më të rëndësishmet, Bushati së pari përmendi realizimin e Reformës në Drejtësi, por edhe miratimin e shpejtë të disa akteve apo ligjeve tepër të rëndësishme përsa i përket zgjidhjes imediate të çështjeve që kishin të bënin kryesisht me tërmetin dhe pandeminë, duke shpëtuar ekonominë nga ngërçi.
“Në radhë të parë, Reforma në Drejtësi mund të themi që është e plotësuar. Gjithashtu ka pasur një sërë aktesh dhe ligjesh, të cilët kanë ndihmuar shumë në kohën e pandemisë. Pra, të menjëhershme ku ka reaguar qeveria dhe parlamenti, duke bërë që shoqëria të dalë nga ngërçi si pasojë e këtyre situatave problematike që kemi pasur, si tërmeti apo edhe pandemia”, vijoi më tej Bushati.
…
/faxweb
