Nga: Mariglen GJIKA

Të rinjtë e sotëm kërkojnë llum dhe jo ajkë, kërkojnë rrëmujë e jo rregull, kërkojnë zhurmë e jo qetësi, kërkojnë shpejtësi pa limit dhe jo destinacion me cilësi. Ata harxhojnë kohë përpara ekraneve dhe jo librave. Gdhijnë natën në internet dhe flenë gjumë bankave të shkollës ditën. Flenë në drekë dhe zgjohen të dehur dyerve të pubeve mëngjeseve. Me gjuhë brutale sot shajnë adoleshentët më keq se të rriturit, femrat më keq se meshkujt. Kjo është rinia jonë, këta janë fëmijët tanë, këta jemi ne. Çfarë edukate po i japin prindërit e sotem fëmijeve që nuk i kontrollojnë dhe u krijojnë kushte materiale e digjitale? Plotësimi i tejshkuar i kushteve nuk do të thotë domosdoshmërisht se po e rrit në mënyre të drejtë apo normale fëmijën. Sot të rinjtë kanë probleme me shikimin, probleme leximin, probleme me shkrimin, nuk dallojnë shkronjat, xh nga zh, ll nga dh, harrojnë shkronjën –ë- në fund apo mes fjale… probleme me kujtesën etj, kohët e foljeve nga vetat njëjës tek vetat shumës. Të gjithë i duam fëmijët të shkathët dhe të ditur mbi të tjerët por po gënjejmë veten dhe fëmijët tanë duke ua bërë qefin kot ose pak si shumë. Mos u kemi dhenë pak si shumë liri me të cilën ata abuzojnë fort? Të gjithë i duam të dalin të parët në mësime dhe të jenë të shkëlqyer. Meraku im është se ne po u krijojmë më shumë se ç’duhet kushte për të jetuar. Nëse ne i mbingopim me para, me veshje, me mjete lëvizëse, me tekonologji ata kanë më shumë mundësi për të abuzuar me veten e tyre, sepse janë në një moshë shumë delikate dhe nuk e kuptojnë mirë se çfarë janë duke bërë dhe kërkuar.

Mendoj se problemi është me shumë tek prindrit të cilët nuk kanë kulturën e nevojshme për të rritur një femijë, duket sikur e kane kuptuar gabim lirinë që duhet të ketë fëmija. Nga ana tjetër prindërit nuk e njohin teknologjinë sa të rinjtë dhe nuk kanë kohë që ti kontrollojnë fëmijët e tyre. Kjo sjell si pasojë humbjen e mundësisë për ti kontrolluar fëmijët nga përdorimi i pakontrolluar i internetit dhe websiteve me përmbajtje të dëmshme. Ndoshta për vetëbesim të tepruar, ndoshta për besim të mbitepruar të fëmijëvë të tyre, shumë prindër nuk kontrollojnë fëmijët e tyre. Ata parapëlqejnë që të besojnë atë që u thotë fëmija dhe përtojnë të kontrollojnë e verifikojnë realitetin. Unë kam konstatuar raste pafund të abuzimit, kam vënë re më shumë abuzim nga fëmijë që vijnë nga familje në nevojë të madhe ekonomike dhe në familje të pasura. Femijët e familjeve të shtresave të mesme kanë një lloj sjellje të qendrueshme. Fëmijët e familjeve në nevojë abuzojnë duke kërkuar një mbështetje ekonomike ose për arsye se janë të pa dalë, ndërsa fëmijët e pasur abuzojnë me vetëdije duke provuar gjëra që nuk janë për moshën e tyre si seksi alkooli dhe droga. Eksplorimi i të panjohurave që zakonisht aplikojnë të rriturit mund t’iu shkaktojë një traumë sociale në të ardhmen shoqërisë tonë. Prindërit e mi, por edhe prindërit e një brezi 7-8 vjet më të vegjel se unë nuk e kanë idenë se çfarë informacioni dhe çfarë mundësish kanë femijët e tyre nëpër duar. Abuzimi është më i madh në jetën e shkollës së mesme. Thjesht për të provuar gjera të reja për efekt kureshtjeje femra e meshkuj përfundojnë të alkoolizuar dhe të droguar pubeve të qyteteve tona dhe jo vetëm. Aty ku ka shkollë apo univeristet aty ka alkool, seks, drogë dhe mundësi të tjera për abuzim. Orientimi më i madh është më shumë drejt gjërave të ndaluara dhe të dëmshme duke lënë mënjanë edukimin.

Ndërgjegjësimi qytetar është më i rëndësishëm sesa dukja i perfeksionuar materialisht përpara shoqërisë. Unë tentoj herë pas here të udhëtoj me transport publik dhe në jo pak raste shoh grupe të rinjsh që kthehen nga shkolla që flasin veç për postimet në facebook, fotot në instagram, live cams, kush e ngacmoi e kush i foli në facebook, andej-këndej dhe snap chat. Asgjë për shkollën, asgjë për detyrat e shtëpisë të marra në shkollë. Askush nuk flet për sport, arte, teatro, kinema dhe kulturë. Askush nuk përmend asnjë personazh librash apo libër qe ka lexuar kohët e fundit. A e dini se nr i lexuesve në bibliotekat publike sa vjen dhe pakësohet? A e dini se në bibliotekë shkojnë më shumë pensionistë se të rinj? A e dini se askush nuk merr libër për të lexuar për dije veçse nëse nuk ka ndonjë detyrë kursi për të berë? Ja pra të dashur prindër ku jemi. Kush mban mend nga ju se kur e ka pyetur fëmijën e vet se çfarë libri ka blerë apo lexuar së fundmi? Vë bast se as 20% prej nesh nuk e ka bërë… Po ndonjë prind që i ka dhënë lekë fëmijës për të blerë një libër jashtëshkollor ka? Pak ë? Keq, shumë keq! Ja pra që paskemi faj dhe ne si prindër në edukimin e fëmijëve tanë… Kemi krijuar një fasadë të fortë e të bukur nga jashtë me ca trupa fëmijësh prej rëre nga pas. Të dashur miq, pasojat do i shohim sapo të kalojë një 20 vjeçar dhe brezi i ri që do marrë në dorë fatët e vendit do të jetë një dështim i madh në menaxhim dhe drejtim. Nga vëzhgimet dhe anketat e bëra nga unë në disa disa shkolla 9-vjeçare dhe të mesme, vura re se nga 30 nxenës mesatarisht për klasë, rreth 98% e nxënësve kishin celularë inteligjentë (ose me prekje) dhe rreth 3-4 nxënës kishin celularë të thjeshtë sa për të folur. Nxënës pa celuarë në shkollat 9-vjeçare kishte nga 1-2 për klasë ndërsa në shkollë të mesme ishte luks të gjeje 1 nxënës pa celular. Ajo që bën më shumë përshtypje është fakti se nxenësit janë te pajisur me celuarë të prodhuar së fundmi të shtrenjtë minimumi 30.000 mije leke dhe max 90.000 lekë. Vë bast se prindërit e tyre përdorin telefona të thjeshtë me çmim rreth 3000-4000 lekë të rinj dhe në pak raste të njëjtët.

Fëmijët tanë janë mbyllur brenda guackës së tyre dhe bëjnë një jetë virtuale shumë aktive duke ekspozuar veten si VIP-a, si pasanikë, si bukuroshë dhe si shumë inteligjentë. Në fakt nga ana tjetër e kanë jetën skëterrë në shumë drejtime. Në këtë mënyrë ata gënjëjne veten për disa vjet derisa të dalin në jetë dhe kur të përplasen me realitetin do të bien në depresion ose do të kërkojnë forma për të arritur shpejt dëshirat e tyre virtuale. Këtu lind abuzimi me trupin e tyre dhe me paratë e prindërve, me drogën, me vetë-prostituimin. A e dini sa te reja e japin veten për një i-Phone? Problemi i kësaj kategorie është më shumë mungesa e shembujve në shoqëri, dmth ata kanë si shembull një bashkëmoshatarin e tyre i cili ka punuar jashtë shqipërisë dhe ka plotësuar shumë kushtet e tij, e jo të ketë shembull një bashkëmoshatar i cili ka studiuar e ka një punë me një rrogë mesatare e cila i plotëson kushtet me jetetike. Edhe në rastet që ka një farë ekonomie në familje përsëri priren të kërkojne një mundësi tu sjellë lekë sa më shpejt e sa më shumë, dmth këtë gjë nuk e shohin si mundësi tek librat ose te shkolla apo edukimi. Asgjë e mirë nuk vjen vetë nëse nuk punon, nëse nuk edukohesh dhe nuk mëson të jetosh në shoqëri ku jetojnë edhe njerëz të tjerë.
Po krijohet një brez me formë dhe përmbajtje të njëjtë ose më saktë me formim dijesh shumë minimal dhe formim rruge shumë maksimal. Shprehja “t’ia blejmë dhe këte se e qeshin shokët” duket se ka marrë më qafë çdo ditë prindër, të rinj e të reja. Të kesh dhe të bëhesh si të tjerët do të thotë të sillesh si ata dhe të bësh çfarë bëjnë ata. Kjo nuk është e drejtë. Çdo njeri është unik dhe nuk ka pse ndjek një model se thjesht duhet për sytë e të tjerëve por duhet të ndjekë modelin e drejtë edhe pse mund të mos jetë si i shokëve. Steve Jobs thoshte se nuk mbante celular në dhomën e gjumit, se nuk i lejonte fëmijët e tij të përdornin internetin më shumë se 2 orë në ditë. Po ne sa i lejojmë, a i kontrollojmë? Jo! Ne shqiptarët për shkak se i marrim teknologjitë dhe të rejat të gatshme nga bota e cila ka shumë vite që i studion, biem preh e joshjes së tyre dhe vuajmë pasojat pastaj. Asnjë prind nuk pyet nëse është modë të jësh i pari i klasës por pyet nëse fëmija i vetë është veshur më mirë se të tjerët.

Po bota(të huajt), si e ka bota jashtë? Në bazë të interesimeve të mija në disa vende të BE, fëmijët vërtet kanë të gjithë celularë por i kanë të personalizuara për moshën e tyre dhe me aplikacione për moshën e tyre, dhe jo si fëmijët tanë që kanë akses të pa limituar në internet apo website me përmbajtje për të ritur. Fëmijës I duhet treguar se ka dhe “jo”! Ne si prindër duhet të ndryshojmë sa nuk është vonë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re