Tobias Xhaxhiu

“Qyteti plak” është titulli i romanit debutues të Saimir Muzhakës, fitues i fondit për mbështetjen e krijimtarisë letrare në Ministrinë e Kulturës për vitin 2017. Ngjarjet ambientohen në Beratin e ditëve tona. Lajmi se një tërmet i ngjashëm me atë të vitit 1851 do t’i rishkundë muret e kalasë, përhapet me shpejtësi. Ndërkohë, doza helmuese e panikut shtohet me ardhjen e lajmit mbi vdekjet misterioze të tri të rinjve brenda së njëjtës ditë. Ashtu si në kohë të vjetra besëtytnish, qyteti vishet me misticizëm dhe me një ndjesi kapitëse të mungesës së shpresës.

Mes kësaj trazire, gazetari Gerald Dokaj rikthehet përsëri në qytetin e tij të lindjes, i ngarkuar me detyrën e vështirë të hulumtimit të këtyre vdekjeve të paarsyetuara. Falë një diktofoni, ai merr dëshmitë e nënave të viktimave, të gjitha gra në moshë të thyer, të cilat për shkaqe të zymta, të paspecifikuara kanë mbetur të vetme në qytetin e gurtë. Me evoluimin e ngjarjeve, Geraldi kupton se qyteti i tij i lindjes nuk është më i njëjti dhe se e ardhmja e këtij të fundit, tashmë e vënë në mëdyshje nga tërmeti i supozuar, duket se është një rrugë qorre drejt plakjes dhe braktisjes.

Dora e shtetit, siç rëndom në të tilla raste, shfaq një vullnet të cunguar në zbulimin e së vërtetës dhe mjaftohet me perifrazim të çështjes, duke e përcaktuar si një seri vdekjesh për shkak të ndërhyrjes së agjentëve atmosferikë. Por Geraldi nuk mund t’i besojë këtyre përfundimeve naive dhe moskokëçarëse. Si një fëmijë i qytetit, i mësuar me tingujt e rrugëve të kalldrëmta, me pëshpërimat nën portikë dhe vështrimet e ftohta prapa perdeve, ai e di se gjerat nuk janë siç duken. Ai shquan në sytë e nënave vajtojca, se përtej dhimbjes së madhe fshihet një e vërtetë, më e hidhur se vdekja.

Të tri viktimat kanë diçka të përbashkët; vendimi i largimit nga qyteti është kundërshtuar fuqishëm nga nënat e tyre. Në pamundësi për t’u pajtuar me vendimet dhe sjelljet e të bijve, pavetëdija e tyre, e forcuar nga ndonjë forcë e mbarsur zakonore, duket se i detyron të zgjojnë një mallkim të pazakontë, që është edhe vrasësi i heshtur i këtyre të rinjve. Kjo mund të ilustrohet më qartë me fatin tragjik të Erit, vëllait të një prej viktimave si dhe të vetë Geraldit.

Qyteti i bardhë duket se lufton për t’i qëndruar larg fenomeneve të botës moderne, por fuqia e tyre e papërballueshme i shkund themelet e tij, më fort se çdo të kishte bërë tërmeti i paralajmëruar. Problemet sociale janë në thelb shkaku i gjithçkaje. Muzhaka është përpjekur të sjellë një tablo të jetës së zvetënuar të të rinjve në provincë, të ëndrrave të tyre të papërmbushura, të mosmarrëveshjeve mes brezave, ku të vjetrit, të sfiduar nga ndryshimi që vjen me të renë dhe të frikësuar nga braktisja, preferojnë të ruajnë statukuonë me çdo kusht, pavarësisht se çmimi që do u duhet të paguajnë, në mënyrë paradoksale i dënon vetë ata.

Stili i rrëfimit është bashkëkohor, një ndërthurje mes trillerit, noir-it dhe analizës psikologjike. Përshkrimi i situatës, ngjarjeve dhe personazheve i besohet dialogut, falë së cilit zbulohet karakteri i njeriut të provincës, si dhe atmosfera dekadente e qytezave shqiptare. Për ta deshifruar logjikën e autorit, lipset një lexim i vëmendshëm, pasi shpesh mesazhe të rëndësishme mund të gjenden në dialogët në dukje më të pafajshëm, apo në detajet më të zakonshme, në pritje për t’u deshifruar.

Fabula është interesante, përshkrimi është i kursyer dhe njëherësh ritmik, çka e bën leximin fluid. Fryma mistike, në kufijtë e legjendares, zhvillohet në nivelet e përjetimit, që më shume sesa meritë e autorit, të jep idenë se është një lloj tradite rrëfimi e ushqyer nga substrati kulturor i qytetit nga ai vjen, Beratit.

“… -Sa mirë që po kthehesh në Berat!

-Vetëm për pak ditë.

-Është bërë varrezë me dy këmbë, – shtoi ai, si të mos dëgjonte, – veç të rinjtë mund ta ngjallin!

– Vetëm për pak ditë …”/Gazeta Liberale

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re