Një ngjarje që në të paktën mund të quhet e pazakontë dhe mizore. Një fëmijë 9 vjeç, paushqyer, kockë e lëkurë dhe i lënë në harresë.

Me këtë gjendje janë përballur një ekip i bashkisë, që kishte ardhur për të pastruar nga mali i plehrave, një apartament në një lagje të Bursa-s në  Turqi.

Media turke e ka raportuar gjerësisht rastin, i padëgjuar ndonjëherë për nga përmasat dramatike. Po sjellim për lexuesin një artikull të plotë, përcjellë nga media lokale e Bursa-s, Haberdar.

Si u zbulua ngjarja

Gruaja e cila kishte marrë me qira banesën në pronësi të Aydin S., prej muajsh nuk i paguante detyrimet. Pronari i apartamentit e dërgoi në gjyq çështjen, por qirramarrësja nuk u paraqit në asnjë prej seancave.

Gjykata vendosi një urdhër për dëbimin e gruas, e quajtur Kamuran Pinar. Së bashku me një ekip të thirrur nga gjykata, pronari i shtëpisë hapi derën, për t’u përballur me grumbujt e plehrave që kishin zënë thuajse të gjithë banesën. Në brendësi të shtëpisë, u gjetën plot letra të ngjitura në mur, në gjuhë të ndryshme. Në derën e shtëpisë ishte lënë një mesazh ku shkruhej “Mos hy në shtëpi se do të hedh në gjyq për tejkalim”.

Ekipi u largua nga banesa, fill pasi brava e derës u ndërrua. Por duket se brava e re nuk e ka ndaluar gruan të hyjë sërish në shtëpi.

Siç raporton media turke, me të parë që brava është ndërruar, gruaja ka hapur derën me ndihmën e një personi tjetër. Pronari i shtëpisë ka pikasur se dikush ka hyrë, pasi dritaret i ka parë të mbyllura sërish. Burri ka njoftuar menjëherë policinë. Këta të fundit e kanë gjetur gruan në banesë dhe e kanë arrestuar. Gruaja pasi ka dhënë deponimin në polici, është lënë e lirë.

Mandej, pronari i banesës ka kërkuar ndihmë nga bashkia, për një ekip pastrimi, në kushtet kur gjendja atje ishte një rrezik serioz për shëndetin e të gjithë pallatit. Ishte ekipi i pastrimit, i cili konstatoi se dera e një dhome ishte e kyçur. Ekipi hapi derën me forcë dhe për habinë e tyre, gjetën kësaj here jo vetëm plehrat e radhës, por edhe një fëmijë të shtrirë e pa ndjenja.

Policia dhe një ekip mjekësor erdhën në vendin e ngjarjes. Fëmija u identifikua si një vajzë. Fëmija u dërgua më tutje në spital ku dhe mjekët nisën të kujdesen. Rezultoi se fëmija kishte afro 1 vit mbyllur në atë dhomë, ndërsa gjendja shëndetësore ishte e mjerueshme. Fëmija në fakt rezultoi se nuk ishte vajzë, por një djalë 9 vjeçar. Keqpërcaktimi erdhi për shkak se djalit të mitur i ishin zgjatur aq shumë flokët e thonjtë, saqë në pamje të parë, ekipit të pastrimit e policisë i është dukur se kishin të bënin me një vajzë. Në trup djali kishte shenja plagësh dhe ishte tepër i dobët e i paushqyer.

Pas gjithë këtyre ndodhive, policia nisi hetimet dhe shpalli në kërkim gruan, e quajtur Kamuran Pinar. Pas hetimeve rezultoi se kjo e fundit e kishte nip 9 vjeçarin dhe e kishte marrë disa vite më parë nga e motra, e cila nuk e kishte dashur fëmijën. Kamuran e kishte rritur djalin e për të paktën vitin e fundit, e kishte mbajtur të kyçur në apartament, në kushte të mjerueshme. Media turke zbuloi se djali quhej Cem Muhammet.

Policia ndërkohë mundi ta gjejë gruan dhe ta vërë në pranga tashmë. Ndërkohë i mituri u mor nën kujdesin e shërbimeve sociale pas trajtimit në spital.

Kamuran dhe nipi i saj kishin të paktën 7 muaj që jetonin në apartament pa ujë e energji elektrike, thotë media turke. Ky detaj doli në dritë nga deponimi i pronarit të shtëpisë dhe prononcimet e avokatit të tij.

Mbi rastin,  avokati i pronarit të shtëpisë, deklaroi se klienti i tij, duke qenë mësues me profesion, mendoi se po i jepte shtëpinë një nëne të vetme me fëmijë. Ky i fundit kishte toleruar mungesën e pagimit të qirasë, derisa muaj më vonë kishte kontaktuar me një studio ligjore për rastin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re