Që nga viti 2014, kur shpërtheu konflikti në Jemen, janë zbuluar 3.000 shkelje ndaj gazetarëve, përfshirë 49 vrasje.

33 organizata joqeveritare në Jemen, duke përfshirë Organizatën për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (SAM), Observatorin Jemenas për Liritë e Shtypit (Marsadak), Organizatën Kombëtare të Gazetarëve Jemenas (SADA) dhe Koalicionin Jemenas për Monitorimin e Shkeljeve të të Drejtave të Njeriut, lëshuan një deklaratë të përbashkët me rastin e 2 Nëntorit, ditës së luftës ndërkombëtare kundër mosndëshkimit të krimeve ndaj gazetarëve.

“Ne dënojmë të gjitha llojet e dhunës ndaj gazetarëve nga palët në konflikt që nga fillimi i luftës, që çoi në vrasjen e 49 përfaqësuesve të medias. Në kohën kur bota po mundohet të kërkojë llogari nga ata që kanë kryer shkeljet ndaj gazetarëve, në 7 vitet e fundit në Jemen janë bërë rreth 3.000 shkelje ndaj lirisë së shtypit dhe të shprehjes”, thuhet në deklaratë.

Duke u theksuar se diversiteti në media është zhdukur në shumë qytete të Jemenit, më tej kërkohet që autorët e shkeljeve ndaj gazetarëve të dalin para drejtësisë.

– Lufta civile në Jemen

Në Jemen, ku paqëndrueshmëria politike ka mbizotëruar për një kohë të gjatë, po ndodhin përleshje midis milicive Houthi të mbështetur nga Irani dhe forcave të lidhura me qeverinë.

Rebelët Houthi kanë kontrolluar kryeqytetin Sana dhe disa rajone që nga shtatori 2014, ndërsa forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite që nga marsi 2015 kanë mbështetur qeverinë e Jemenit kundër Houthive. Theksohet se rreth 233.000 persona kanë humbur jetën në konfliktet në vend që vazhdojnë prej 7 vitesh.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re