Ky sezon veror ka sjellë një numër të shtuar të aksidenteve në Shqipëri, njëlloj dhe në Kosovë, ku jo të paktë kanë qenë jetët e humbura e personat e lënduar në rrugët e vendit.

Mbi arsyet se përse vende kaq të vogla si Shqipëria apo Kosova, regjistrojnë kaq shumë aksidente, do të duhet mbase një studim i detajuar dhe i thellë.

Por po sjellim në vëmendje të lexuesit, rastin e një shtetasi në Kosovë, një rast që më së paku mund të cilësohet si i pazakontë.

Policia e Ferizajt e ndaloi shoferin në orët e para të mëngjesit. Ky i fundit udhëtonte me një automjet udhëtarësh. Ishte me shpejtësi 129 km/h në rrugën Shtime- Ferizaj, pranë fshatit Koshare. Në këtë rrugë, norma e lejuar e shpejtësisë është 50 km/h.

Në lidhje me shkeljen e rregullave, shoferi 49 vjeçar mori një gjobë (300 euro), dy pikë të hequra nga patenta dhe 6 muaj masë për heqje patente.

Pasi mori gjobë dhe masat ndëshkuese, shoferi u nis me makinën. Po i njëjti veçse, u gjobit pak minuta më tutje. Po ecte sërish me 102 km/h… në të njëjtën zonë ku duhej të udhëtonte me 50km/h. Policia e bëri matjen e dytë sërish me radar, e ndaloi dhe e gjobiti sërish (me 150 euro).

Policia e Ferizajt e përcolli rastin me qëllimin e apelimit për shoferët, që të respektojnë rregullat.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re