Dy nxënës në moshë të re dhe shoferi i autobusit të vrarë. Ky ishte bilanci tragjik i ngjarjes së rëndë, që ndodhi 10 ditë më parë në Gllogjan të Deçanit. Edhe pse kanë kaluar mëse 1 javë nga ngjarja, ende nuk ka të arrestuar.

Rtv Dukagjini intervistoi një prej familjarëve të shoferit që mbeti i vrarë në tragjedi. Familjarët e Gani Gjokajt kërkojnë të vihet drejtësia në vend dhe të dinë se përse ndodhi një krim i tillë.

“Familja, brengën kryesore e ka zbulimin e rastit. Nga kush erdhi? Pyetja që çdo ditë bëjmë ne familjarët, vëllezërit, nëna e baba, pse dhe nga kush erdhi vrasja? Ta dimë arsyen. Nëse do t’i kishim pasur dikujt borxh ka pasur alternative tjera. Kjo për momentin është brenga më e madhe”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Fatmir Gjokaj, familjar i shoferit të vrarë.

Gjokaj shtoi se nuk është aspak i kënaqur me institucionet ligjzbatuese të Kosovës, pasi sipas tij këta të fundit nuk e kanë ende një të dyshuar.

“Kemi hyrë në ditën e 11-të dhe nuk ka asnjë pistë hetimi. Nuk e kemi asnjë informatë të vetme që tregon se është duke u bërë një pistë hetimi apo që ka të dyshuar. Shpresojmë se një ditë e vërteta do të dalë në dritë”, deklaroi Gjokaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se sasia e informacioneve për vrasjen e trefishtë është shtuar dhe se hetuesit më të mirë të vendit po merren me këtë çështje.

“Sasia e informacionit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit është duke u shtuar, meqenëse hetuesit më të mirë tanë janë të përfshirë atje. Mirëpo kur të kenë diçka konkrete sa i përket të pandehurit ose të pandehurve që e kryen këtë vrasje të trefishtë mizore, ne natyrisht që do t’iu njoftojmë me kohë”, tha kryeministri.

Nga Prokuroria e Pejës kanë thënë se hetimet janë duke vazhduar dhe se në këtë moment nuk mund të japin informacione tjera.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re