Violinisitja e talentuar, Ina Kosturi, e cila është edhe pedagoge në Universitetin e Arteve, ka thënë se brezi i ri nuk studion shumë. Megjithatë, sipas saj, kur nisin shkollën dhe kur e përfundojnë kanë një diferencë shumë të madhe, sepse i ndryshon niveli.

“Ky është një brez që nuk studion shumë, është një brez që shikon shumë dhe ka shumë informacion. Janë dy gjëra që janë pak të ndryshme njëra nga tjetra, megjithatë kur vijnë në shkollë dhe kur dalin nga shkolla kanë një diferencë shumë të madhe, sepse vijnë në një nivel dhe padiskutim kur të gjithë dalin, dalin shumë më ndryshe. Një pjesë më e madhe e vështirësisë nuk është pjesa e studimit, pjesa më e madhe është skena, të gjendesh në skenë, të të rrahë zemra fort”, u shpreh Kosturi në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News.

Më tej, ajo dha dhe një mesazh për të gjithë komunitetin e muzikantëve, të cilët duhet të jenë më të bashkuar dhe më të dashur me njëri-tjetrin, në mënyrë që të vënë në skenë vepra të mëdha.

“Mesazhi është për një komunitet më të dashur të njëri me tjetrin të kompozitorëve, muzikantëve, për t’u bërë të gjithë më shumë bashkë, për të bërë festivale. Pa thënë se çfarë thotë bota për ne, por që ne të jemi të gjithë bashkë këtu dhe të mundohemi të marrim më shumë mundësira për t’i vënë pjesët. Unë kam gjëra të vogla faktikisht, flas për ata që kanë vepra të mëdha, për ata që janë kompozitor dhe ka shumë mundësi që për muzikën shqiptare që të jenë të gjitha këto vepra të mëdha, i quaj sukses kur secila prej tyre vihet”, përfundoi violinistja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re