Në selinë e njësitit 51460 të ushtrisë ruse, në rajonin e largët lindor Kabarovsk, nuk ka shumë kohë prej kur është krijuar një mur për ushtarët e vdekur.
Ky njësit njihet si Brigada e 64-të e Gardës së veçantë të pushkëve motorike.
Në mur shihen fotografitë e 44 ushtarëve dhe zyrtarëve tjerë, sipas një fotografie që fillimisht është publikuar në rrjetin social, VK dhe më pas i është konfirmuar Radios Evropa e Lirë (REL).
Në mur nuk ka shumë të dhëna se ku janë vrarë këta ushtarë, mirëpo vetëm se të gjithë janë nderuar me titullin e famshëm, Urdhri për Kurajë.
Aleksei Astashov, burri që e ka publikuar fotografinë, i ka treguar Radios Evropa e Lirë se ku janë vrarë ata: në Kiev, Izjum dhe Sllovjansk të Ukrainës.
Pushtimi rus në Ukrainë ka hyrë në muajin e gashtë dhe inteligjenca perëndimore beson se Rusia ka regjistruar më shumë humbje të ushtarëve, sesa në gjithë dekadën e luftës sovjetike në Afganistan më 1980.
“Secili ka shkuar në SVO”, ka thënë Astashov për REL-in, duke iu referuar “operacionit special ushtarak”, shprehja që e përdor Kremlini kur e përmend luftën në Ukrainë.
Sipas tij, të gjithë ushtarët e brigadës janë dërguar në Ukrainë, përveç “vajzave, rekrutëve të rinj dhe stafit administrativ”.
Sipas tij, shumica i kanë nënshkruar kontratat nën presion.
“Pjesa më e madhe e tyre janë transferuar në Ukrainë, teksa kanë qenë duke kryer stërvitjet në Bjellorusinë fqinje”, ka thënë ai.
Sipas Astashovit, brigada ka pasur rreth 1.500 trupa dhe tani numri i të vdekurve shkon në “të paktën disa qindra”.
Lufta e Rusisë në Ukrainë ka ndryshuar situatën e sigurisë në Evropë, ka transformuar aleanca, ka ndryshuar strategjitë ushtarake të Perëndimit, ka goditur ekonominë globale dhe e ka përshpejtuar rënien e Rusisë në udhëheqësi autoritare.
Kjo luftë ka shpërfaqur edhe dobësinë e forcave ushtarake të Rusisë.
Zyrtarisht, Ministria ruse e Mbrojtjes ka publikuar vetëm një herë të dhëna për viktimat e luftës.
Sipas një deklarate të 25 marsit, autoritetet ruse kanë thënë të kenë regjistruar 1.351 viktima dhe mbi 3.800 të plagosur.
Megjithatë, drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës në Shtetet e Bashkuara, William Burns, ka thënë muajin e kaluar se beson që Rusia mund të ketë humbur të paktën 15.000 njerëz dhe të ketë të plagosur rreth 45.000 ushtarë.
Këto shifra janë përmendur sërish këtë muaj nga zyrtarë tjerë amerikanë.
“Mund të sugjerojmë se rusët mund të jenë përballur me 70-80.000 viktima në më pak se gjashtë muaj”, u ka thënë një zyrtar amerikan gazetarëve.
“Këto shifra janë kombinim i të vrarëve dhe të plagosurve. Ky numër mund të jetë pak më i madh ose pak më i vogël, mirëpo aty diku është, dhe përbën shifër të konsiderueshme, duke marrë parasysh se rusët nuk kanë arritur asnjërën prej objektivave të presidentit rus, Vladimir Putin, të cilat i ka bërë të ditura në fillim të luftës”.
“Toka amë dhe interesat shtetërore”
Me bazë në Kabarovsk – rreth 9.000 kilometra në lindje të Ukrainës – brigada e pushkëve është riorganizuar në vitet 1990 në kuadër të angazhimit në Çeçeni, përgjatë luftës së parë atje.
Kjo brigadë është modernizuar në fund të viteve 2000.
Ky njësit ka fituar famë globale pasi njësitet ruse janë tërhequr nga distriktet në veri të Kievit në fund të muajit mars, duke zmbrapsur ofensivën e tyre në kryeqytetin ukrainas.
Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka akuzuar këtë brigadë për mizoritë e kryera në qytezën Buça dhe rajonet përreth ku janë kryer vrasje masive dhe ka dyshime për krime tjera.
Më 8 gusht, autoritetet në Buça kanë thënë se kanë identifikuar 458 trupa të vdekur, prej të cilëve 419 besohet se janë vrarë apo torturuar.
Disa javë pas raportimeve për masakër në këtë qytet, Putin ka nderuar brigadën e 64-të për mbrojtje të “tokës amë dhe interesave shtetërore”.
Ai ka lavdëruar brigadën për “heroizmin dhe kurajën që ka treguar”.
Sipas të dhënave që gjenden në murin përkujtimor në kampin e brigadës, rreth 20 minuta larg Kabarovskut, të paktën 44 ushtarë të njësitit kanë vdekur në fund të muajit shkurt dhe mars – periudhë koincidente me fazën e parë të pushtimit rus.
Datat tjera lidhen me ofensivën e radhës, pasi komandantët rusë kanë tërhequr Brigadën e 64-të dhe njësitet tjera nga Kievi dhe i kanë ripozicionuar në rajonin lindor të Donbasit, duke përfshirë zonat rreth Harkivit.
Në total, Radio Evropa e Lirë ka arritur të vërtetojë vdekjet e 30 prej 44 ushtarëve – fotografitë e të cilëve janë shfaqur në murin përkujtimor – duke përdorur informacione të disponueshme nga publikimet zyrtare, mediat sociale dhe raportimet e mediave.
Dobësitë e ushtrisë ruse
Shkalla e lartë e të vdekurve dhe të plagosurve në anën e Rusisë u është atribuuar disa faktorëve.
Forcat ukrainase kanë zhvilluar beteja të ashpra duke mbrojtur jo vetëm rajonet në veri të Kievit, por edhe lokacione tjera, përfshirë Donbasin dhe qytetin port Mariupol.
Në këtë të fundit Ukraina është dorëzuar pas disa muajsh luftime.
Mbrojtja ukrainase është përforcuar dukshëm nga armët e Perëndimit, të cilat i kanë zëvendësuar armët e periudhës sovjetike.
Në ditët e para të luftës, trupat ukrainase kanë përdorur raketat anti-tanke Javelin të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara dhe NLAW nga Britania, për të shkatërruar tanket ruse dhe makinat tjera të armatosura.
Në mesin e dobësive tjera të Rusisë përfshihet mungesa e pajisjeve mjekësore dhe teknikave moderne për trajtim dhe evakuim të të plagosurve.
Pas tërheqjes nga rajoni i Kievit, shumë njësite ruse janë shkatërruar, kanë thënë zyrtarë ushtarakë amerikanë dhe ekspertë të jashtëm.
Sipas disa vlerësimeve, disa njësite ruse kanë humbur një të tretën e personelit.
Michael Kofman, ekspert për ushtrinë ruse në Qendrën për Analiza Detare – me bazë në SHBA – ka thënë se pas çdo ushtari rus të vrarë, janë mbrapa edhe rreth 3.5 të plagosur.
Yury Fedorov, ekspert ushtarak rus, ka vlerësuar se personeli total i Brigadës 64, që përfshin dy batalione me pushkë të motorizuara dhe një batalion me tanke, ka shkuar në rreth 2.500 trupa ushtarake përpara luftës.
“Brigada e 64-të është nga rajoni i largët i lindjes dhe shumë njësite të saj kanë qenë të dobëta dhe të pajisura keq”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.
“Ekziston një praktikë që kur trupat goditen rëndë, atëherë krijohen brigada të reja me pjesëtarë të mbetur të brigadave të ndryshme”, ka thënë Federov.
“Për të qenë gati për luftë, brigada të tilla duhet të kalojnë nëpër procesin e koordinimit luftarak. Komandantët e togave duhet të njihen me njëri-tjetrin, të korrigjojnë kanalet e komunikimit. Kjo kërkon të paktën disa muaj”.
Megjithatë, Brigada e 64-të nuk mund të shpërbëhet, sipas tij, sepse kjo gjë do të dëmtonte vendimet e Putinit.
“Shpërbërja nënkupton se kjo brigadë është përgjegjëse për krimet në Buça”, ka thënë Federov.
“Prandaj, ka shumë mundësi që në të do të dërgohen ushtarë të rinj”, ka thënë ai.
Analistë tjerë në grupin hulumtues, Ekipi për Inteligjencë të Konflikteve, ka thënë se shifrat për viktima, që ka prezantuar Astashov, do të ishin të besueshme, nëse aty përfshihen vetëm ushtarët me kontrata.
Ekspertët kanë përmendur edhe moralin e ulët dhe disiplinën e dobët, në mesin e faktorëve tjerë që kanë çuar në numër kaq të madh të viktimave.
Astashov, i cili punon në njësitin mjekësor në Brigadën e 64-të, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se të paktën 100 ushtarë mund të kenë refuzuar për të luftuar në Ukrainë, sidomos pas humbjeve që u janë shkaktuar forcave ruse në fillim të luftës./R.E.L