Rreth 13 milionë njerëz në Kenia, Somali dhe Etiopi po përballen me uri të rëndë në Bririn e Afrikës, i cili po kalon thatësirën më të keqe në dekada, tha të martën Programi Botëror i Ushqimit (WFP).

Tre sezone radhazi me shi kanë munguar, ndaj rajoni përballet me kushte thatësire rekord që nga viti 1981, tha agjencia e OKB-së.

Thatësira shkatërroi të korrat dhe shkaktoi vdekshmëri “anormale” te bagëtitë, duke i detyruar familjet që mbështeten në blegtori të largohen nga shtëpitë e tyre, shkruan AFP.

“Furnizimi me ujë është i kërcënuar në afat të shkurtër dhe parashikimet e reshjeve nën mesataren në muajt e ardhshëm vetëm do të përkeqësojnë situatën e dëshpëruar për njerëzit në rajon,” tha Michael Dunford, drejtori rajonal i WFP për Afrikën Lindore.

“Të korrat kanë dështuar, bagëtitë kanë ngordhur dhe uria është në rritje pasi një thatësirë ​​e re po godet Bririn e Afrikës, tha ai në një deklaratë.

Situata “kërkon veprim urgjent humanitar” për të shmangur një përsëritje të një krize si ajo në Somali në 2011, kur 250,000 njerëz vdiqën nga uria gjatë një thatësire të gjatë.

Ndihma ushqimore është dhënë në zonat e Kenias, Etiopisë dhe Somalisë, ku nivelet e kequshqyerjes janë të larta dhe rreth 13 milionë njerëz janë në rrezik të lartë nga uria në tremujorin e parë të vitit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re