Kryeministri britanik Boris Johnson është kritikuar për shkak të një feste të paligjshme gjatë bllokimit ku mori pjesë me rreth 40 pjesëtarë të stafit të Downing Street.

“Dua të kërkoj falje”, tha dje Johnson në një deklaratë të shkurtër në fillim të seancës javore të pyetjeve në Dhomën e Ulët, por partitë opozitare nuk ishin të kënaqura me kaq.

“Unë e di se miliona njerëz në të gjithë këtë vend kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme gjatë 18 muajve të fundit. E di ankthin që ata kanë kaluar, në pamundësi që të mbajnë zi për të afërmit e tyre, në pamundësi për të jetuar jetën e tyre siç duan ose për të bërë gjërat që duan”, tha ai.

Johnson gjithashtu u shpreh se “e di zemërimin që ata ndiejnë ndaj meje dhe qeverisë që unë drejtoj kur mendojnë se në vetë Downing Street, rregullat nuk po ndiqen siç duhet nga njerëzit që bëjnë rregullat”.

“Atyre dhe kësaj Dhome, unë u kërkoj faljen time të përzemërt”, shtoi kryeministri britanik.

Johnson tha se ka menduar që bëhej fjalë për “ngjarje pune” dhe ai nuk qëndroi për shumë kohë, por ky shpjegim u prit me thirrje të ashpra për dorëheqje nga opozita.

Duke i kërkuar Johnson-it të jepte dorëheqje, lideri laburist Keir Starmer e përshkroi kërkimfaljen e tij si “qesharake” dhe “fyese për publikun”, ndërsa kreu i Partisë Kombëtare Skoceze në Westminster, Ian Blackford, tha gjithashtu se kryeministri duhet të japë dorëheqjen.

Johnson u takua me anëtarët e partisë së tij në Dhomën e Ulët pasi mori më shumë pyetje dhe kritika nga ligjvënësit për t’u siguruar që kërkimfalja e tij ishte e mjaftueshme për të kënaqur partinë e tij në një përpjekje për të qetësuar mesazhet e zemëruara nga konservatorët.

Udhëheqësi konservator skocez Douglas Ross i bëri thirrje Johnson-it të jepte dorëheqjen.

Duke folur për STV News, Ross tha: “Unë thashë dje, nëse kryeministri ka marrë pjesë në këtë tubim, festë, eveniment, në Downing Street, më 20 maj, atëherë ai nuk mund të vazhdojë si kryeministër”.

“Pra, me keqardhje, më duhet të them se pozicioni i tij nuk është më i qëndrueshëm”, shtoi ai.

Raportet lokale sugjerojnë se rreth 25 deputetë i shkruan iniciuan një votëbesim, i cili mund të realizohet kur numri të arrijë në 54.

Reagimi publik

“Me sa kuptoj unë ai është ngritur në parlament dhe ka kërkuar falje. Kjo do të thotë se ai pranon një keqbërje”, e intervistuara Ruth Fryer tha për AA.

“Sigurisht, ai duhet të japë dorëheqjen, por më pas, a do të ndihmojë kjo gjë? Po, ka një numër të madh prej tyre po aq idiotë që janë në radhë pas, të cilët nuk do të jenë më të mirë”, tha ajo.

Një protestues në një lokacion afër parlamentit tha se kryeministri u kap duke gënjyer.

“Jo, jo, nuk e di se çfarë ishte… A ishte ai atje? A kishte një festë? A po bënte një takim pune?” pyeti Jeff duke folur për AA.

“Tani dëgjoni, të gjitha këto janë broçkulla. Por ai, ai ka gënjyer për të gjitha këto. E dini, Brexit ishte e gjitha një gënjeshtër. Gjithçka ishte një gënjeshtër. Pra, ai është i popullarizuar për të gënjyer. Ai u zgjodh sepse gënjeu. Ju e dini, dhe ja ku jemi tani. Pra, çfarë është lajmi i fundit, që Boris Johnson gënjeu sot? Epo, nuk është asgjë e re, nuk është lajm i ri, apo jo? Ai e bën këtë gjatë gjithë kohës. Kështu ata e duan atë”, theksoi ai.

Një tjetër protestuese, Louise Brown, tha se ajo nuk mund ta shihte motrën e saj kur ishte në terapi intensive në një kohë që Boris Johnson po festonte në Downing Street, duke refuzuar të pranojë kërkimfaljen.

“Ai është detyruar të kërkojë falje vetëm sepse është zbuluar kështu që i vjen keq që u zbulua”, tha ajo, duke shtuar: “Mendoj se kjo është e vetmja gjë për të cilën i vjen keq”.

“Por tani e dini, nuk ka absolutisht asnjë dyshim. E dini, nëse mendoni se kjo festë e fundit ishte në maj 2020; kjo ishte kur personave që jetonin vetëm, nuk iu lejua të kishin as raporte sociale në atë moment, kështu që ata tekstualisht ngelnin vetë teksa ai ishte duke bërë festa”, tha Brown.

Ajo gjithashtu ankohet se kishte edhe shumë njerëz që nuk mund të shkonin dhe të shihnin të afërmit e tyre teksa ata ishin në spital.

“Si puna e motrës sime, ishte në spital në terapi intensive dhe nuk mund të shkoja ta vizitoja”, tha Brown, duke shtuar: “Pra, është jashtëzakonisht fyese që unë respektova rregullat, edhe në ato rrethana tmerrësisht të rënda apo sëmundje familjare, dhe ai vendos të bëjë një të qeshur të madhe për të shkuar dhe për të bërë një festë. Kështu që ai patjetër duhet të japë dorëheqje”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re