Në protestën e mbajtur kundër çmimeve të larta dhe kostos së jetesës në kryeqytetin e Britanisë së Madhe, Londër, u kërkua nga qeveria përmirësimi i pagave për luftën kundër inflacionit në rritje.

Protesta e organizuar nga Unioni i Sindikatave (TUC) filloi në Portland Place dhe më pas mijëra protestues marshuan për rreth 3 kilometra drejt sheshit të Parlamentit.

Në duar protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimet “Mjaft tashmë”, “Rrisni pagat, ulni faturat”, “Shtëpi të sigurt për të gjithë” dhe shpeshherë brohoritën me slogane kundër qeverisë.

U vërejt se disa protestues marshuan me pankarta me mbishkrimin “Të paguani koston” të vendosura pranë fotografive të kryeministrit Boris Johnson dhe ministrit të Financave, Rishi Sunak.

Teksa po kalonin përpara zyrës kryeministrore “Number 10”, protestuesit brohoritën kundër Johnsonit.

Zëvendës sekretarja e përgjithshme e TUC, Sue Ferns në një fjalim të mbajtur në sheshin e Parlamentit, kërkoi rritjen e pagave kundër kostos në rritje.

“Kriza e kostos së jetesës po godet rëndë punëtorët. Çdo gjë po rritet. Por, pagat tona nuk po rriten. Faturat kanë arritur kulmin. Të vendosësh ushqim në tryezë po bëhet çdo ditë e më shtrenjtë. Duhet të zbrazësh kuletën për të mbushur automjetet me karburant”, tha Ferns.

Në prill, inflacioni në Britani nën ndikimin e rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve arriti në nivelin më të lartë në 40 vitet e fundit, duke arritur në 9 për qind.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re