Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab ka reaguar në lidhje me dëbimin e ambasadorit të Mianmarit në Londër, Kyaw Zwar Minn, nga ndërtesa e ambasadës nga atasheu ushtarak i vendit.

“Dënojmë veprimet ngacmuese të regjimit ushtarak të Mianmarit në Londër dje dhe unë e uroj Kyaw Zwar Minn për guximin e tij”, shkroi Raab nga llogaria e tij në Twitter.

Ai tha se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të bëjë thirrje për t’i dhënë fund grushtit të shtetit dhe dhunës së tmerrshme dhe për një rivendosje të shpejtë të demokracisë në Mianmar.

Ndërkohë, mianmarasit që jetojnë në Britani, sot do të organizojnë protestë para ambasadës kundër grusht shtetit.

Për mediat lokale ambasadori i Mianmarit e ka përshkruar incidentin si “një lloj grusht shteti në mes të Londrës”.

Zwar Minn kundërshtoi grusht shtetin në Mianmar dhe lëshoi një deklaratë duke kërkuar lirimin e udhëheqëses së Lidhjes Kombëtare për Demokraci (NLD) në pushtet, Aung San Suu Kyi dhe të udhëheqësve civilë.

Ai ishte takuar me sekretarin e Jashtëm britanik, Dominic Raab, për të dënuar mizoritë nga ushtria në Mianmar. Televizioni shtetëror i vendit tha se ai po tërhiqej për lëshimin e një deklarata të paautorizuar.

Sipas Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP) me bazë në Mianmar, të paktën 598 persona në Mianmar janë vrarë që kur ushtria e vendit mori kontrollin.

Që nga 6 prilli, njofton AAPP, gjithsej 2.847 persona janë në paraburgim, 38 prej të cilëve janë dënuar.

Ushtria e Mianmarit mori pushtetin më 1 shkurt, duke rrëzuar qeverinë e zgjedhur të Aung San Suu Kyi dhe duke i dhënë fund eksperimentit të shkurtër të vendit me sundimin demokratik.

Në përgjigje të grusht shtetit, grupet civile në të gjithë vendin filluan një fushatë të mosbindjes civile me demonstrata masive dhe protesta në mënyra të ndryshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re