Të martën, Sekretari i Jashtëm Britanik Dominic Raab dënoi “barbarinë” e autoriteteve kineze ndaj ujgurëve, duke njoftuar një ndalim të blerjes së mallrave të prodhuara nga puna e detyruar e asaj pakice muslimane në rajonin kinez të Xinjiang.

“Barbarizmit po i drejtohemi sot, gjë që ne shpresonim se ishte një e kaluar”, u tha ai ligjbërësve britanikë, duke përmendur burgime arbitrare, “riedukim politik”, punë të detyruar, tortura dhe sterilizim të detyruar të ujgurëve, njoftoi AFP.

Politika e Kinës ndaj Xinjiang, shtëpia e ujgurëve dhe grupeve të tjera kryesisht muslimane, është bërë një pikë kryesore e mosmarrëveshjeve midis Kinës dhe Perëndimit për akuzat për abuzime të të drejtave të njeriut.

Pekini është takuar me kritika të forta ndërkombëtare për politikën e tij në territorin Xinjiang të pasur me burime.

Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se rreth një milion ujgurë dhe pakica të tjera kryesisht muslimane po mbahen në kampe atje.

Kina shprehet se këto janë “qendra të formimit profesional”, që synojnë të “gjejnë një punë për njerëzit” dhe “t’i distancojnë ata nga ekstremizmi fetar”.

Zyrtarët kinezë mburren me suksesin e tyre në deradikalizimin e popullsisë dhe trajnimin e tyre profesionalisht, duke pretenduar se asnjë sulm terrorist nuk ka ndodhur në katër vjet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re