Britania do të ashpërsojë objektivat e saj për të luftuar ndryshimet klimatike duke u angazhuar për zero emetim të gazrave serrë deri në vitin 2050. Qeveria Britanike u bë kështu vendi i parë i G7 që ka vendosur një synim të tillë.

Vendi aktualisht ka për qëllim të zvogëlojë emetimet e gazrave serrë (GHGs) me 80 për qind nga nivelet e vitit 1990 deri në vitin 2050. Megjithatë, aktivistët thonë se kjo nuk shkon aq larg sa për të plotësuar premtimet e bëra sipas marrëveshjes klimatike të Parisit në vitin 2015, ku u vë synimi për të kufizuar rritjen e ngrohjes globale në 1,5 gradë Celsius.

“Tani është koha për të hedhur hapa më të shpejtë për të mbrojtur mjedisin për fëmijët tanë”, tha Kryeministrja në largim Theresa May.

“Arritja e emetimit zero deri në vitin 2050 është një objektiv ambicioz, por shumë i rëndësishëm që ta arrijmë. Vetëm kështu kemi siguruar mbrojtjen e planetit tonë për gjeneratat e ardhshme”.

Legjislacioni do të vihet para parlamentit më 12 qershor për të ndryshuar aktin ekzistues dhe për të përfshirë objektivin e ri.

Këshilltarët e pavarur të Britanisë për klimën dhe Komiteti për Ndryshimet Klimatike, thanë se vendi duhet të shkojë drejt objektivit të ri, i cili do të kërkonte më shumë gjenerim të energjisë së rinovueshme dhe mund të kërkonte heqjen graduale të automjeteve me karburante, dhe sjelljen e atyre me energji elektrike.

Familjet gjithashtu duhet të heqin dorë nga ngrohja me gaz natyror dhe të kalonin në alternativa si hidrogjeni ose pompat e nxehtësisë.

Britania shpreson se vendimi në fjalë pritet të inkurajojë vendet e tjera që të miratojnë objektiva më ambicioze për stopimin e ngrohjes globale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re