Britania e Madhe njeh interesin legjitim të Turqisë për të siguruar kufijtë e saj, thuhet në një kumtesë të Kryeministrisë së Britanisë, në vazhdën e operacionit ushtarak të Ankarasë zyrtare kundër organizatave terroriste në kufirin me Sirinë.
Kryeministria e Britanisë së Madhe thotë se ndjek me vëmendje zhvillimet në Afrin, në veriperëndim të Sirisë.
“Britania e Madhe rregullisht diskuton me Turqinë çështjet të cilat kanë të bëjnë me konfliktin në Siri, që janë në një linjë me synimet tona për ndalimin e dhunës përmes zgjidhjeve politike”, thuhet në njoftim, raporton aa.
“Njohim të drejtën legjitime të Turqisë për të siguruar kufijtë e saj”, thekson Kryeministria e Britanisë, e cila thotë se është e përkushtuar që të punojë nga afër me Turqinë dhe aleatët e tjerë, për të gjetur një zgjidhje për Sirinë, duke mbrojtur interesin e shtetit turk për sigurinë.
Ndërkohë, për operacionin “Dega e Ullirit” ka reaguar edhe sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson. Në një postim në Twitter, Johnson shkroi: “Turqia ka të drejtë të mbajë të sigurt kufijtë e saj”.
Ndryshe, të shtunën, Turqia nisi Operacionin “Dega e Ullirit” për të larguar terroristët e PYD/PKK-së dhe DEASH-it nga Afrini. Sipas Shtatmadhorisë së Turqisë, operacioni synon të krijojë siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve turq dhe rajonit, si dhe të mbrojë popullin sirian nga shtypja dhe mizoria e terroristëve. /KosovaPost/.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re