Britania e Madhe e ka cilësuar pervers propozimin rus për një hetim të përbashkët mbi helmimin e ish-agjentit rus dhe vajzës së tij, muajin e shkuar në Angli.

Komenti erdhi nga pala britanike, që mori pjesë në një takim emergjent të Agjencisë ndërkombëtare për monitorimin e armëve kimike, në lidhje me rastin.

Rusia, që e kishte thirrur takimin, kërkoi nga Britania e Madhe që të ndajë të dhënat me të. Britania thotë se është Rusia, ajo që duhet fajësuar për sulmin, por Moska mohon përfshirjen.

Qeveria britanike tha se një agjent nervor për përdorim ushtarak i prodhuar nga Rusia, “Novichok” është përdorur në sulmin mbi Sergei Skripalin dhe vajzën e tij Yulia, në Sallisbury të Anglisë jugore, më 4 mars.

Incidenti ka shkaktuar përplasje të mëdha diplomatike, me dëbimin e mbi 130 diplomatëve rusë nga Britania e Madhe dhe aleatët e saj, që u pasua nga dëbime të tjera nga Moska.

Si anëtare e Organizatës për Parandalimin e Armëve Kimike, Rusia ka të drejtë të kërkojë takime emergjente të saj dhe ky i fundit u mbajt në Hagë. Mes të tjerash, Rusia kërkoi të njihej edhe me provat që Britania e Madhe i ka dhënë organizatës, inspektorët e së cilës vizituan vendin e sulmit në Salisbury dhe ku janë analizuar kampionët e marrë.

Por kërkesa e saj për një hetim të përbashkët është hedhur poshtë nga Britania e Madhe.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re