Britania, Franca dhe Gjermania kanë shprehur “shqetësim të thellë” lidhur me fillimin e pasurimit të uraniumit nga Irani deri në 20 për qind në një nga uzinat e tij.

“Ky veprim, i cili nuk ka ndonjë justifikim të besueshëm civil dhe mbart rreziqe shumë të konsiderueshme që mund të përhapen, është në shkelje e qartë e angazhimeve të Iranit sipas Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPoA) dhe më tej zbeh Marrëveshjen”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të tri vendeve.

Duke e përshkruar pasurimin si një “zhvillim serioz negativ”, deklarata tha se ky hap “minon zotimin e përbashkët të pjesëmarrësve të JCPoA-së më 21 dhjetor për të ruajtur JCPoA-në”.

“Kjo gjithashtu rrezikon të komprometojë mundësinë e rëndësishme për një kthim në diplomaci me administratën e ardhshme të SHBA-së”, theksohet më tej.

“Ne fuqishëm i bëjmë thirrje Iranit të ndalojë pasurimin e uraniumit deri në 20 për qind pa vonesë, të kthejë programin e tij të pasurimit në kufijtë e rënë dakord në JCPoA dhe të përmbahet nga çdo hap tjetër përshkallëzues që do të zvogëlojë më tej hapësirën për një diplomaci efektive”, kanë thënë tri vendet evropiane.

“Ne qëndrojmë në kontakt të ngushtë me pjesëmarrësit e tjerë të mbetur të JCPoA për të vlerësuar se si të adresojmë më mirë mosrespektimin e Iranit brenda kornizës së JCPoA-së”, thuhet në deklaratë.

Në fund të javës së kaluar, Irani konfirmoi planin për të rritur pasurimin e uraniumit deri në 20 për qind, ndërsa është mobilizuar për të zbatuar një ligj të prezantuar së fundmi si kundërmasë ndaj sanksioneve të SHBA-së.

Sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, Teherani u lejua të pasurojë uranium deri në 3,67 për qind. Megjithatë, pragu u shkel nga Irani në përgjigje të tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja, duke rritur nivelin në 4,5 për qind.

Pavarësisht vendimit të Presidentit të SHBA-së Donald Trump në vitin 2018 për t’u tërhequr nga JCPoA, anëtarët e BE-së Gjermania dhe Franca kanë nënvizuar vazhdimisht angazhimin e tyre ndaj marrëveshjes dhe i kanë kërkuar Teheranit që të kthehet në përputhje të plotë me marrëveshjen.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re