Britania ka rënë në një bllokadë të plotë që nga orët e hershme të ditës se sotme, pasi mijëra punëtorë hekurudhorë kanë hyrë në grevë, duke lënë rrjetin hekurudhor të funksionojë me një shërbim strukturor, ndërsa aeroportet e vendit tashmë janë paralizuar për më shumë se një muaj për shkak të mungesës së stafit.

Hekurudha Kombëtare

Greva e sindikatës së Hekurudhave, Detarisë dhe Transportit (RMT), greva më e madhe që ka parë Britania e Madhe në 30 vitet e fundit, do të zgjasë tri ditë, të martën, të enjten dhe të shtunën këtë javë.

Greva filloi pasi 40.000 anëtarë të sindikatave kanë ndërprerë punën që nga orët e para. Shumë operatorë trenash në Angli, Skoci dhe Uells kanë anuluar shumicën e udhëtimeve.

Aksioni vazhdoi pasi RMT dhe qeveria nuk arritën marrëveshje mbi pagat të hënën pasdite.

“Komiteti ekzekutiv kombëtar i RMT-së ka konstatuar se dy propozimet (nga Network Rail dhe nga kompanitë operuese të trenave) janë të papranueshme dhe tani është konfirmuar se aksioni i grevës i planifikuar këtë javë do të vazhdojë”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i RMT-së, Mick Lynch.

“Është e qartë se qeveria konservatore, pas shkurtimit të fondeve prej 4 miliardë funtesh nga Hekurudha dhe Transporti Kombëtar për Londrën, tani ka penguar në mënyrë aktive një zgjidhje për këtë mosmarrëveshje”, tha ai.

Kompanitë hekurudhore “kanë propozuar tani norma pagash që janë dukshëm nën normat përkatëse të inflacionit”, tha Lynch, duke shtuar se “kompanitë po kërkojnë gjithashtu të zbatojnë mijëra shkurtime të vendeve të punës dhe nuk kanë dhënë asnjë garanci kundër shkurtimeve të detyrueshme”.

Ai akuzoi ministrat e qeverisë pas dështimit të bisedimeve të fundit.

“Për ata që nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të hyjnë, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë nesër dhe mendoj se publiku do të dëshirojë të dijë se pse po vendosen në këtë pozicion”, tha një deklaratë zëdhënësi i kryeministrit Boris Johnson.

“Besojmë se po kërkojmë të ofrojmë një rritje të drejtë dhe të arsyeshme pagash dhe të modernizojmë shërbimet hekurudhore për një periudhë afatgjatë, dhe duhet të heqim disa prej këtyre rregullave dhe procedurave të vjetruara, disa prej të cilave nuk janë përditësuar për dekada dhe të cilat nuk i shërbejnë publikut”.

Metroja e Londrës

Shërbimi i metrosë së Londrës është gjithashtu pothuajse plotësisht i mbyllur sot, pasi 10.000 punëtorë iu bashkuan punëtorëve hekurudhorë në grevë.

Pjesa më e madhe e metrosë së Londrës do të mbyllet në ditët e njëjta kur punëtorët e hekurudhave janë në grevë. Shërbimi nuk pritet të jetë në funksionim të plotë deri të hënën e ardhshme.

Mijëra udhëtarë do t’u kthehen automjeteve të tyre, autobusëve dhe mjeteve të tjera të transportit, ose shumë prej tyre do të punojnë nga shtëpia për të shmangur kaosin në qytet.

Aeroportet

Situata në aeroportet e Britanisë së Madhe, e shkaktuar nga mungesa e punonjësve të bagazheve, nuk po përmirësohet, krahas grevës.

Aeroporti Heathrow, më i madhi në vend, u ka kërkuar kompanive ajrore të anulojnë 10 për qind të fluturimeve pasi problemet me bartjen e bagazheve shkaktojnë ngecje në fluturime dhe mijëra pasagjerë janë përballur me anulim të fluturimeve në minutat e fundit.

Situata është e ngjashme në aeroportet Gatwick, Stansted, Liverpool dhe Bristol.

Kompania britanike Easyjet tha se do të anulojë deri në gjysmën e fluturimeve të saj të planifikuara për sezonin e verës.

Shumë punonjës të bagazheve preferuan të mos kthehen në vendin e tyre të punës pas kufizimeve dhe bllokimeve të pandemisë COVID-19, gjatë të cilave shumicës së tyre iu kërkua të mos punonin pasi asnjë fluturim nuk ngrihej as ateronte për muaj të tërë në 2020 dhe 2021.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re