Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka lajmëruar ditën e sotme në një konferencë për shtyp nga Downing Street, se Mbretëria e Bashkuar do të adoptojë masa të reja, për të ndalur përhapjen e koronavirusit.

Johnson tha se do të ketë “një përpjekje kombëtare” për ta mundur virusin.

“Ambicia e kësaj qeverie për të thyer valën e koronavirusit është 12 javë. 
Do ta mundim këtë sëmundje, me një përpjekje kombëtare, duke reduktuar kontaktet sociale të panevojshme“, tha Johnson.

Më pas ai lajmëroi se restorantet, kafenetë, pabet dhe palestrat do të mbyllen që prej mbrëmjes së sotme.

Restorantet do të ofrojnë vetëm shërbim “take away”, pra ushqimet do të shpërndahen për qytetarët, por qëndrimi në tavolinat e restoranteve dhe kafeneve, nuk është më i mundur.

Qeveria ka njoftuar gjithashtu se do të paguajë pagat e personave që nuk mund të punojnë për shkak të koronavirust, në masën 80%, deri në 2500 pound, tha kancelari Rishi Sunak.

Mbretëria e Bashkuar ka qenë më e ngadaltë se vendet e tjera në Europë, për të adoptuar masa radikale në luftën ndaj koronavirusit, e udhëhequr nga parimi se duhet gjetur një balancë mes masave radikale që dëmtojnë ekonominë dhe efekteve pozitive që mund të kenë ato për sistemin shëndetësor.

/TPZ.al/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re