Autoritetet e Britanisë së Madhe po përballen me rritjen e numrit të emigrantëve që kalojnë me varka të vogla Kanalin Anglez, të cilët kryesisht vijnë nga Shqipëria dhe njoftojnë përshpejtimin e dëbimit të azilkërkuesve.

Shërbimi britanik i imigracionit do të dëbojë shpejt azilkërkuesit nga Shqipëria, në përpjekje për të parandaluar fluksin e njerëzve që hyjnë në vend duke rrezikuar jetën e tyre, raporton AP.

Sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Priti Patel tha se kontrabandistët dhe bandat e organizuara po abuzonin me sistemin e emigracionit në Britani.

Numri i shqiptarëve që kalojnë me anije Kanalin Anglez është rritur në mënyrë dramatike muajt e fundit, ndonëse në një deklaratë të Home Office, Britania e Madhe e konsideron Shqipërinë një vend të sigurt.

Kalimi i Kanalit Anglez

Në gjysmën e parë të këtij viti, 12747 persona kanë hyrë me varka në Britaninë e Madhe përmes kanalit anglez, që është dyfishi i numrit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga ky numër, 2165 janë shqiptarë. Këta të fundit dhe afganët janë grupet më të mëdha të emigrantëve që hyjnë ilegalisht në Britani me anije.

Patel foli me ministrin e Brendshëm shqiptar Bledi Çuçi, i cili tha se vendi i tij po punonte për të dekurajuar përpjekjet për të hyrë në MB ilegalisht dhe në mënyrë të rrezikshme.

Dy ministrat diskutuan gjithashtu për hapjen e vendeve të reja të punës për punëtorët shqiptarë që do t’u mundësojnë atyre qëndrimin e ligjshëm në Britani.

Pas këtij takimi, u njoftua gjithashtu se Ministria e Brendshme Britanike do të nisë një fushatë për të frenuar fluksin e emigrantëve, si dhe rritjen e dënimeve me burg dhe mundësinë e dëbimit për shkeljet e emigracionit. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re