Britania e Madhe shtoi në listën e sanksioneve vajzat e presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov.

Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme thuhet se ndaj vajzave të Putinit, Katerina Vladimirovna Tikhonova dhe Maria Vladimirovna Vorontsova dhe vajzës së Lavrovit, Yekaterina Sergeyevna Vinokurova është vendosur ndalim udhëtimi dhe ngrirje e aseteve.

Britania e cila më 25 mars ka marrë të njëjtin vendim edhe për Polina Kovaleva, vajzën (jo zyrtare) të Lavrovit, thuhet se këto sanksione i ka koordinuar me SHBA-në.

Në njoftim përfshihen edhe deklaratat e sekretares së Jashtme britanike, Liz Truss e cila ka thënë: “Paketa jonë e pashembullt e sanksioneve vendos në objektiv elitat dhe familjet e tyre si dhe zvogëlon ekonominë ruse në një masë që Rusia nuk e ka parë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik”.

Truss ka tërhequr vëmendjen edhe ndaj planeve për t’i dhënë fund përdorimit të energjisë ruse.

Britania ka vendosur sanksione kundër më shumë se 1.200 personave dhe bizneseve pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re