Në një tendë të improvizuar në kampin e refugjatëve al-Sati në Rripin verior të Gazës, 33-vjeçarja Enas Abu Daka mban në krahë vajzën e saj shtatëmuajshe, Nivin. Vajza e vogël lindi me një problem me zemrën, në mes të luftës, dhe së fundmi iu nënshtrua një operacioni në zemër të hapur në Jordani. Por, mes armiqësive të ripërtërira, autoritetet jordaneze e kthyen atë në Gaza – dhe bashkë me të edhe ankthin e saj për të nesërmen.

Siç raporton BBC, Nivin ishte një nga 29 fëmijët e sëmurë rëndë nga Gaza që u transferuan në Jordani në mars, me iniciativën e Mbretit Abdullah. Transferimi u bë ndërsa ishte në fuqi një armëpushim i përkohshëm. Atje, ajo iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe filloi të shërohej. Por dy javë më vonë, armëpushimi u prish dhe lufta u rikthye më e ashpër. Më 12 maj, Enas u informua papritur se do të kthehej në Gaza të nesërmen.

“Ne u larguam në mes të një armëpushimi. Si mund të na kthejnë mbrapsht kur lufta është ende duke vazhduar?”, pyet veten nëna, duke u ankuar se trajtimi nuk ishte përfunduar. “Vajza ime nuk mund të vazhdojë të jetojë në tendë. Herë pas here a kriza dhe mavijosje.”

Jordania pretendon se fëmijët që u kthyen ishin shëruar dhe se vendimi u mor për arsye “politike dhe operacionale”.

Siç shpjegon Ministria e Punëve të Jashtme e vendit, qëllimi është të shmanget largimi i përhershëm i palestinezëve nga territoret e tyre, ndërkohë që hapen vende për transferimin e fëmijëve të sëmurë të rinj nga Gaza.

Megjithatë, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza e kundërshtojnë këtë pamje: ata argumentojnë se fëmijët ende kanë nevojë për kujdes mjekësor dhe se kthimi i tyre në një nga vendet më të rrezikshme në botë për fëmijët është krim. Imazhet e kthimit janë tronditëse: skena, varfëri, mungesë e produkteve bazë dhe mungesë e plotë e kujdesit shëndetësor të sigurt. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko