Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç ka deklaruar se taksa e vendorur nga Kosova ndaj mallrave serbe nuk ka ndikuar vetëm në tregtinë ndërmjet Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, por se i ka rrezikuar gjitha marrëveshjet rajonale të cilat janë planifikuar të nënshkruhen.
Ndër të tjera në reagimin e saj kryeministrja serbe, me këtë rast potencoi marrëveshjen për romingun e cila ishte planifikuar të nënshkruhet nga gjashtë vendet e Ballkanit në Samitin e dytë digjital në Beograd.
Në një konferencë për media, pas takimit me kryeministrin e Republikës serbe të Bosnjës, Radovan Viskoviç, ajo përsëriti se taksa e vendosur nga Prishtina, shkel marrëveshjen e CEFTA-s.
Në prill të 2018 në samitin e parë digjital të mbajtur në Shkup ishte paralajmëruar ulja e çmimeve të romingut mes vendeve të Ballkanit.
Komisionierja Evropiane për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Marija Ivanova Gabriel, pati theksuar se Unioni në mënyrë intensive punon në përgatitjen e agjendës digjitale për Ballkanin Perëndimor, që është pjesë e strategjisë së të BE-së për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor.
Komisionerja pati thënë se ulja e çmimeve të romingut do të jetë një nga përpjekjet në transformimin digjital.