Pse njerëzit me demencë duket se bëhen “të huaj”?A mund të mos “thotë” më asgjë një vështrim? A mund të dojë dikush, por të mos e ndiejë atë?

Ndërsa lidhja emocionale merret si e mirëqenë, shkenca na kujton se truri “mban çelësat”. Dhe ndonjëherë, i humbet ato. Demenca Frontotemporale (FTD) është një nga format më enigmatike të demencës. Etiologjia e saj mbetet kryesisht e paqartë. Rreth 30% e rasteve janë gjenetike, ndërsa për pjesën tjetër ende nuk ka përgjigje të qarta.

Deri më sot, nuk ka kurë, por publiciteti në rritje, falë rasteve të profileve të lartë si ato të aktorit Bruce Willis dhe prezantueses Wendy Williams, ka mobilizuar shkencëtarët dhe ka rritur ndërgjegjësimin.

Siç shkruajnë në The Conversation Alexander F. Santillo, Profesor i Asociuar i Psikiatrisë dhe Psikiatër Konsulent në Universitetin e Lundit, dhe Olof Lindberg, Profesor i Asociuar në Departamentin e Neurobiologjisë, Shkencave të Kujdesit dhe Shoqërisë në Institutin Karolinska, demenca frontotemporale prek kryesisht sjelljen, personalitetin dhe gjuhën. Ndryshe nga sëmundja e Alzheimerit, ajo paraqitet me simptoma që janë më shumë psikologjike sesa të lidhura me kujtesën. Një nga shenjat e para dhe më të dhimbshme është humbja e empatisë, aftësisë për të kuptuar se çfarë ndiejnë të tjerët.

Çfarë tregoi studimi i ri

Një studim i kohëve të fundit suedez, në bashkëpunim me Institutin Karolinska, Universitetin e Lundit dhe Universitetin Umeå, përpiqet të shpjegojë se si dhe pse përgjigjet emocionale “fiken” tek pacientët me FTD. Për ta bërë këtë, shkencëtarët përdorën imazhe me rezonancë magnetike funksionale (fMRI) tek 28 pacientë, duke i krahasuar ata me 28 individë të shëndetshëm.

Gjatë testit, pjesëmarrësit panë imazhe të duarve që ose po merrnin një stimul të dhimbshëm (një shpim gjilpëre) ose një neutral (një prekje me një shkop pambuku). Ky është një test i mirë-vendosur që aktivizon zonat e trurit të lidhura me reagimin ndaj dhimbjes së të tjerëve, domethënë me empati emocionale.

Kur truri bëhet “i heshtur”

Tek pjesëmarrësit e shëndetshëm, rajonet e trurit si insula anteriore, korteksi cingulate anterior dhe talamusi treguan, siç pritej, aktivitet të shtuar. Pacientët me demencë frontotemporale, nga ana tjetër, treguan aktivitet të reduktuar ndjeshëm në këto rajone të trurit.

Lidhja me sjelljen e përditshme ishte e drejtpërdrejtë. Sa më pak empati që tregonin pacientët në praktikë (sipas pyetësorëve të plotësuar nga të afërmit e tyre), aq më “joaktive” ishin rajonet e trurit të studiuara.

Çfarë është empatia dhe pse na shqetëson

Empatia është një aftësi themelore njerëzore që na lejon të kuptojmë se çfarë ndiejnë të tjerët. Ajo ndahet në dy forma kryesore: empatia afektive, domethënë reagimi ynë i menjëhershëm, automatik ndaj dhimbjes ose gëzimit të dikujt, dhe empatia konjitive, e cila ka të bëjë me aftësinë tonë për të kuptuar se çfarë po mendon dikush ose pse po sillet në një mënyrë të caktuar, për të “hyrë në vendin e tyre”, jo vetëm për të ndjerë emocionet e tyre, por për të interpretuar qëllimet dhe mendimet e tyre.

Studimi i ri përqendrohet në formën e parë, afektiven.

Është ajo që duket se “hesht” herët në demencën frontotemporale, duke bërë që marrëdhëniet njerëzore të duken gradualisht bosh, dashuria të zhduket dhe lidhja njerëzore të humbasë, jo me zgjedhje, por nga ndërhyrja e vetë trurit.

“Aktiviteti i këtyre rajoneve të trurit lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si pacientët përjetojnë dhe reagojnë ndaj emocioneve të të tjerëve”, shpjegon Dr. Santillo. Studiuesit theksojnë se gjetjet mund të kontribuojnë në diagnostikimin më të hershëm, por edhe në zhvillimin e ardhshëm të trajtimeve që synojnë ruajtjen e reagimit emocional.

Përshtati në Shqip S

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re