“Realiteti është i hidhur që partia të identifikohet me një individ, qoftë ky edhe kryetari. Kemi mbërritur në këtë pikë. Basha ka punuar në 8 vite qëndrim jo për të krijuar një forcë strukturore, parimore, por në një identitet personal.

Kjo është një nga arsye e degradimit pak nga pak të kësaj partie, të largimit të saj nga qytetaria, nga mundësia për të ardhur në pushtet”.

Kështu u shpreh në Ditarin e mbrëmjes në A2, Bujar Nishani, një nga figurat e njohura dhe më të rëndësishme në PD.

Më tej, Nishani theksoi se Basha mund të qëndrojë edhe për 20 apo 30 vjet, por PD po e humb misionin e saj.

“PD është në kaos, në krizë identiteti, më e përçarë se kurrë, ndaj duhej një reflektim i madh pas 25 prillit, jo vetëm rreth figurës dhe karrierës personale të një njeriu, por një reflektim i thellë në kontekstin politik të fjalës.

Basha mund të qëndrojë edhe formalisht në karrigen e kryetarit edhe për 20 apo 30 vjet, por problemi është se PD po e humb misionin e saj për të cilin u krijua, po e humb edhe misionin që ka një parti politike e rëndësishme brenda sistemit. Ky është një dëm i madh që i bëhet edhe shoqërisë”, tha Nishani.

Për Nishanin, çdo gjë që flitet për bashkëpunim është retorikë pa vlerë. “Për të realizuar bashkëpunimin duhet hapja dhe kjo realizohet vetëm përmes një procesi, i cili është garimi”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re