Bujar Nishani është revoltuar me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, pas vizitës së këtij të fundit, por dhe me gazetarët shqiptarë.

Kjo, pasi sipas Nishanit, ai gënjeu shqiptarët dhe nuk foli për llampadarin floriri që ka Edi Rama në zyrë.

“Në takimin e sotëm të Kryeministrit të Shqipërisë me Përfaqësuesin e Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, shqiptarët u fyen përsëri nga kryeqeveritari i tyre dhe panë se si edhe pushteti i medias ka degraduar po aq shumë sa pushteti politik në Shqipëri.

Më së pari nuk ka kurrfarë dyshimi se vizita e Përfaqësuesit të Lartë Borrell është vizitë shumë e rëndësishme për ne shqiptarët, për të dëgjuar e mësuar vlerësimet, problemet, sfidat dhe për të kuptuar detyrat tona në përpjekjet e së ardhmes së përbashkët.

Ajo që shqiptarët dëgjuan nga kryeministri i tyre ishte e njëjta logore që përsëritet prej 9 (nëntë) vitesh nga i njëjti person.

Banalitet dhe vulgaritet krejt bajat!

Vëmendja jonë përqendrohej tek mesazhet e Përfaqësuesit të Lartë.

Për fat të keq, ZHGENJIM!

Si nuk dëgjuan shqiptarët as edhe një fjalë të vetme për korrupsionin stratosferik që ka pushtuar Shqipërinë prej vitesh nga kjo qeveri?

Eshtë apo jo KORRUPSIONI një problem i madh sot në këtë vend?

Z.Borrell u kujdes t’u thotë shqiptarëve se çmimet e çdo fije të jetës së tyre janë rritur nga lufta e Rusisë në Ukrainë?

Ok! Po Raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar që na thotë se;

Niveli i varfërisë në Shqipëri ka shkuar në 31 %, krahasuar me Kosovën 23 %, me Maqedoninë e Veriut 18%, me Malin e Zi 20 % dhe me Serbinë 17%, a ka ndonjë domethënie për Përfaqësuesin e Lartë, që tu thotë shqiptarëve ?

Transparency International e rendit Shqipërinë të parën mes të gjitha vendeve të rajonit në lidhje me nivelin e korrupsionit.

E fundit në varfëri e para në korrupsion!

Në 6 vitet e fundit dëmi ekonomik në buxhetin e shtetit nga KLSH është gjetur 6 (gjashtë) miliard euro.

I gjithë buxheti i shtetit shqiptar në një vit nuk shkon kurrë dot më shumë se 3,5 miliard euro!

ZHGENJIM total nga pritshmëritë e shqiptarëve për zërin evropian të së vërtetës e transparencës.

E nga gjithë kjo pritshmëri, kapakun e artë ia vunë gazetarët tanë “profesionistë” të cilët e kanë vrarë besimin tek pushteti i medias dhe fjalës së lirë po aq rëndë sa dhe pushtetarët tek politika dhe shteti.

Teksa “shqetësoheshin” shumë pse Brukseli nuk po e merrte për “nuse” Edi Ramën, si nuk e pyetën Përfaqësuesin e Lartë Borrell se sa taksa janë të përfshira në çmimin e naftës që shitet për qytetarët evropianë në Bruksel, Madrid, Romë e Berlin?

Shqiptarëve, Edi Rama iu ka futur plot 32 taksa te qeverisë qendrore dhe asaj lokale, në çmimin e naftës, që do të thotë se gjysmën e parave që paguajnë shqiptarët për 1(një) litër naftë e merr Edi Rama në buxhet që të paguajë inceneratorët e hajnisë makabër.

Ah dhe e fundit!

Si nuk e pyeti ndonjë gazetar “profesionist” dhe i “lirë”, Z. Borrell;

A ka ndonjëri prej komisionerëve të Komisionit Evropian në zyrën e tyre në Bruksel, shendelier të larë në flori?

Unë jam i sigurt që as që bëhet fjalë ta kenë një luks të tillë ekstravagantë e pa kurrfarë nevoje, por të paktën ta kishim dëgjuar përgjigjen nga vetë Evropa”, shkruan Nishani.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re