Ish-presidenti Bujar Nishani ka bërë një analizë të gjatë të situatës politike në Partinë Demokratike.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Nishani zbulon sipas tij thelbin e lëvizjes së iniciuar nga Sali Berisha, ‘Foltorja’. Nishani shkruan se ajo çfarë po ndodh, nuk është thjeshtë një betejë Berisha-Basha.

“Lëvizja politike që ka nisur në Partinë Demokratike përmes Foltores së Z. Berisha dhe përfshirjes së shumicës dërrmuese të anëtarësisë së partisë ka filozofinë dhe qëllimin e saj politik ashtu siç ka dhe kundërshtarët e vet politik.

Askush i përfshirë në këtë Lëvizje, nuk duhet të kompleksohet nga identifikimi dhe përballja politike me kundërshtarët, qofshin dhe këta në drejtimin aktual të partisë apo brenda grupit parlamentar.

Kjo është një betejë politike. Betejat politike nuk zhvillohen në ajër.

Ato lindin e zhvillohen mes palëve, mes ideve, në mes modeleve.

Sot për sot një fakt është i sigurt dhe publik.

Kjo betejë është mes një shumice dërrmuese dhe një pakice minore.

Pakica flet nga institucionet zytare të partisë. Kryetari, kryesia, grupi parlamentar.

Kjo është edhe një prej arsyeve pse shumica zgjodhi të aktivizojë institucionin që i takon asaj, Kuvendin Kombëtar.

Fakti nëse e drejta është me shumicën e partisë dhe terrenit apo me pakicën e zyrës së Kryetarit, mbetet për tu provuar.

Personalisht nuk kam dyshim, por morali në pokitik kërkon të konsumohen të gjitha fazat e lëvizjes.

Pikërisht këtu qëndron avantazhi i shumicës, tek qëllimi dhe objektivi i Lëvizjes.

Pakica e zyrës së kryetarit po përpiqet me të gjitha mjetet në dispozicion ta fokusojë Lëvizjen tek debati Berisha-Basha.

Eshtë e vërtetë që ka një relacion problematik midis Z. Berisha dhe Z. Basha, për shkak të një akti ilegal dhe amoral politik të L.Bashës.

Por ta  zhvendosësh thelbin e Lëvizjes politike tek beteja Berisha-Basha është ; sipërfaqësore prej emocionantëve dhe taktikë për të fshehur thelbin prej djallëzorëve.

Akti i L. Bashës ndaj Dr. Berishës ishte një akt i mirëfilltë politik, i ideuar, planifikuar e lobuar prej kohësh.

Pavarësisht se S. Berisha ishte larguar nga vendimarrja dhe drejtimi i PD.

Por shënjestrimi i Z. Berisha ishte shënjestrimi për PD.

Aleanca e lidhur tashmë Rama-Basha, e kalkulonte Sali Berishën si simbolin e unifikimit dhe energjizimit të forcës politike dhe elektorale të PD.

Kjo në fak u provua se ishte e vërtetë, tashmë gjatë Foltores.

Situata në PD vijoi të degradonte vit pas viti deri sa në 2021, PD u kthye në një forcë politike pa kurrfarë rrezikshmërie elektorale ndaj të majtës që siguroi 12 vite në pushtet, ndërsa PD shkonte drejt zhvlerësimit total.

Denoncimi i paaftësisë dhe dembelizmit të L. Bashës kishte vlerë veç pak kohë pas 25 prillit, ku u konsolidua përfundimisht mendimi, se me të PD nuk i fitonte kurrë zgjedhjet.

Zhvillimet politike dhe qëndrimet e L. Bashës në javët dhe muajt që pasuan 25 prillin flisnin për një dimension shumë më të rëndë.

Ato konfirmonin misionin e L. Bashës.

Mbajtjen e PD nën kontrollin e tij, pavarësisht se ajo ishte drejt komas politike.

Prej këtu lindi thelbi dhe qëllimi real i Lëvizjes politike.

Foltorja e materializojë atë.

Eshtë e vërtetë që nga pjesmarrësit masivë në Foltore ka edhe doza të larta nostalgjie ndaj S. Berishës, por po aq i vërtetë është dhe fakti i motivimit të kësaj shumice dërrmuese në Lëvizje, si nevojë e energjizimit të papajtueshmërisë së tyre me opozitën fasadë, lodër e pushtetit.

Kjo teori ka vlerën e së vërtetës edhe anasjelltas.

Kundërshtarët e Foltores dhe Lëvizjes politike në PD kanë doza armiqësie personale ndaj S. Berishës, por më së shumti ata janë në funksion të mbajtjes së PD, të gjunjëzuar, të vogël e opozitare e përjetëshme.

Kjo e dyta është edhe një problem i rëndë moral, pasi individi i gjen të përmbushura interesat personale duke pranuar asgjesimin e një prej dimensioneve më universale publike, pluralizmin politik.

Ndaj kjo është një betejë mes palëve që përfaqësojnë hapur idetë dhe vlerat ku qëndrojnë.

Ajo nuk është një betejë për përjashtime, siç bën kryetari në detyrë.

Por, është një përballje mes shumicës dërrmuese e pjestarëve të asaj familje politike që kërkojnë rivendosjen e vlerave, të drejtën e përfaqësimit përmes garës së barabartë dhe ekzistencën e alternativës politike, me pakicën e zyrës së kryetarit që synon  “status quonë” për pushtetit personal duke dhunuar sakrificën e mandatarëve të cilët kërkojnë t’ja heqin besimin e dhënë.

Kjo jo vetëm është një e drejtë universale dhe ekskluzive e mandatarëve por dhe thelbi i betejës mes shumicës dhe pakicës. Kjo është një betejë që duhet bërë.

Nuk ka alternativë !

Një betejë që synon përmes reformave politike të riktheje vendimarrjen tek shumica që kërkon të vij në qeverisje përkundër pakicës komode në opozitë.

Shumica në PD pa e bërë dhe fituar këtë betejë sot brenda vetes, nuk mundet të bëjë dhe të fitojë nesër betejën me kundërshtarët politik në vend.

Tashmë është koha që çdokush në anëtarësi, në parlamen apo në kryesi të identifikohet me parimet që janë në përballje !

Të ringremë PD, për të shpëtuar Shqipërinë. 🇦🇱”, shkruan Nishani.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re