Bujar Spahiu, me një mandat të dytë në krye të KMSH-së, fituar pa ndonjë vështirësi përballë dy konkurentëve, iu referua Kuranit mbi përgjegjësinë e sërishme që po merr, duke thënë gjithashtu se ai është i hapur ndaj çdo kritike dhe se në institucionin që ai drejton apo jashtë tij, ekziston liria e mendimir.

Në fjalimin e mbajtur pas rimandatimit me një shumicë gati absolute votash, ai tha:

“Unë dua ta nis këtë fjalë me lutje ndaj Zotit të gjithësisë që të më mbështesë në këtë mision kaq të rëndësishëm dhe me kaq përgjegjësi.

Ashtu sikurse këtë mandat që po le pas, unë do të vijoj ta shoh këtë rizgjedhje që po më jepni si shërbim në funksion të fesë dhe kombit tonë.

Do të mundohem të jem shërbëtor besnik i parimeve dhe principeve më të larta të kësaj feje.

Do të ndjek rrugën dhe moralin e lartë të Profetit Muhamed (a.s.) me devocion e përkushtim.

Do të vijoj të dëgjoj me vëmendje kritikat e sinqerta dhe të qenësishme ndaj meje personalisht dhe ndaj institucionit që përfaqësoj.

Komuniteti jonë është shembull në respektimin e lirisë së shprehjes dhe mendimit të secilit.

Ky institucion përfaqëson gjithë myslimanët në Republikën e Shqipërisë dhe është një pasuri kombëtare e shoqërisë shqiptare.

Ky amanet i ngarkuar nga ju sot më detyron ta kryej këtë detyrë me vetëdijen dhe përgjegjësinë e llogaridhënies para Zotit dhe para jush.

‘Allahu i ndihmon edhe ata, të cilëve, nëse u japim pushtet në tokë, kryejnë faljet, japin zekatin, urdhërojnë kryerjen e veprave të mira dhe pengojnë atë që është e mbrapshtë. Tek Allahu është fundi i të gjitha çështjeve.’ (Surja Haxh, ajeti 41)

Zot na mundëso një fund të mirë në përfundim të kësaj çështje.

Do të ndjek me besnikëri, ashtu siç kam bërë deri më sot tre parime themelore:

– Këshillimin me njerëzit e fushës në çdo vendim që do të marr;

– Drejtësinë – do të veproj të drejtën me çdo kosto që ajo të vijë;

– Do të respektoj dhe garantoj lirinë e mendimit të secilit, qoftë pjesë e organeve të KMSH apo jo.

– Drejtësia

Urdhëron Zoti që të jemi të drejtë. Të sillemi me njerëzit në mënyrë të mirë me cilindo, pavarësisht nga raca e tyre, ngjyra, prejardhje kombëtare apo religjioni. Kurani i

Madhërishëm i urdhëron myslimanët që të jenë të drejtë madje edhe kur kanë të bëjnë me ata, të cilët i kundërshtojnë.

‘O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të

Allahut, qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj. Qoftë i pasur ose i varfër ai (për të cilin dëshmoni), Allahu është për ata vlerësuesi më i drejtë’ (Surja Nisa)

– Liria e mendimit

Kam qenë dhe do të jem i hapur ndaj çdo kritike konstruktive. Inkurajoj cilindo që ka nijetin e sinqertë dhe qëllim përmirësimin e punëve të shprehin lirisht mendimet e tyre.

Ju garantoj se cilido prej jush do të vijojë të gjejë te institucioni një atmosferë të të menduarit të lirë, shkëmbimit të shëndoshë të ideve, kritikës dhe këshillimit të ndërsjellë deri në atë masë sa kjo i shërben qëllimit dhe misionit të përbashkët.

Por gjithashtu, institucioni që unë do të drejtoj nuk do të ngurroj të ndjekë të gjitha rrugët ligjore ndaj kujtdo që akuzon pa fakte apo nxit urrejtje dhe përcarje mes besimtarëve dhe në shoqëri”, tha ndër të tjera i rizgjedhuri në krye të institucionit kryesor të muslimanëve shqiptarë. /tesheshi.com/

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re