Qyteti i Beratit, në ditët më të vështira për vendin, hapi dyert për të strehuar 900 banorë të Durrësit, duke dëshmuar edhe një herë bujarinë dhe shpirtin mikpritës.

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka publikuar dëshmi të banorëve të strehuar në Berat.

Ermira Zëre, banore në zonën e ish-kënetës shprehet se ndihma nga ana e bashkisë dhe njëherësh prej beratasve ka qenë shumë e vlefshme, sidomos në momentet e para shumë të vështira.

“Pas tërmetit akoma nuk e kemi mbledhur veten, por e keqja kaloi. Falenderojmë të gjithë stafin e bashkisë së Beratit që na janë gjendur kaq shumë pranë, sepse në të vërtetë kaluam një periudhë shumë të vështirë, që akoma nuk ka mbaruar, por në momentet më të vështira, ata na u gjendën pranë. I falenderoj me shpirt! Bashkia e Beratit na ka ndihmuar jashtëzakonisht në një kohë shumë të shkurtër, na kanë ardhur ndihmat që ne kishim nevojë dhe kemi ndierë atë ngrohtësi që kishim nevojë pas gjithë asaj gjendje që ishim”, – u shpreh ajo.

Nga ana e saj, nënkryetarja e bashkisë së Beratit, Hatixhe Konomi tha se janë kryer koordinimet e nevojshme, me qëllim që banorët jo vetëm të sistemoheshin, por edhe të kishin çfarëdolloj ndihme për të cilën kishin nevojë.

“Në bashkëpunim me zyrën arsimore vendore, ngritën një skuadër me psikologë dhe aty ku ne e shihnim të nevojshme ndërhyrjen e tyre, skuadrat kanë qenë gjithmonë në terren për të asistuar në çdo familje, tek çdo fëmijë. Ndjehemi shumë mirë që kemi qenë të vlefshëm. Por, kjo pa meritën e qytetarëve, pa mbështetjen e tyre, nuk do të bëhej e mundur”, – u shpreh nënkryetarja.

Hotel “Onufri” dhe rezidenca “Desaret” çelën dyert për të prekurit e tërmetit.

“Ne kemi 22 dhoma në total dhe ishin diku tek 10 familje me 7-8 persona. Nuk kishin marrë asgjë nga shtëpia e tyre. Kishin ikur me vrap duke menduar se çfarë kishte ndodhur tek tragjedia në Durrës. Mendonin vetëm të flinin pak gjumë. Kaq më thonin”, – thotë Denisa Qere, hotel “Onufri”.

Nga ana e tij, Ilir Suli, rezidenca “Desaret” u shpreh se “ne e përjetuam katastrofën, fatkeqësinë natyrore njëlloj siç e përjetuan edhe ata banorë atje dhe me mish e shpirt ishim me ta. Ajo që bëmë duke i hapur zemrën dhe derën këtyre njerëzve ishte ishte më e pakta që mund të bënim. Nuk është se i zgjidhëm problemin përfundimisht atyre, por në një moment të caktuar iu gjendëm afër për t’ja lehtësuar sadopak dhimbjen. Këtu ishin rreth 10 çifte. Disa ndenjën 4 ditë, disa ndenjën 8 ditë. Populli ynë e ka në gen mikpritjen dhe dashamirësinë ndaj njerëzve, për t’iu gjendur në kohë kaq të vështirë”.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo tha se institucioni që ai drejton asistoi në operacionet e shpëtim-kërkimit në Durrës edhe përmes mjeteve të vëna në dispozicion për qytetin e prekur nga tërmeti.

“Të gjitha zjarrfikëset e Shqipërisë kanë qenë në gatishmëri të plotë. Po ashtu, edhe zjarrfikëset e Beratit. Dërguam 11 trupa në qytetin e Durrësit ku asistuam në një prej godinave që ishte shembur dhe kishte banorë që ishin poshtë rrënojave. Qeveria japoneze i ka akorduar një grant bashkisë së Beratit dhe po atë ditë, ky grant u finalizua me sjelljen e mjetit në bashkinë e Beratit. Ky është një mjet me të gjitha standardet, me të gjitha aksesorët e duhur dhe u krijon mundësinë mbi të gjitha zjarrfikëses së Beratit të asistojë ashtu siç duhet. Ne patëm një përgjigje të jashtëzakonshme qoftë nga strukturat e hotelerisë, dhe mbi të gjitha nga familjet. Ne kishim 900 banorë që janë akomoduar në strukturat e hotelerisë dhe një pjesë e tyre edhe në familjet beratase, të cilat hapën dyert për këta banorë. Bashkia asistoi jo thjesht me koordinimin, por edhe me të gjitha gjërat bazike që ata e kanë pasur të nevojshme”.

Sakaq, dritat e ndezura të fundvitit kanë krijuar atmosferën e duhur që vogëlushët e familjeve durrsake, ta kalojnë ndryshe këtë moment tranzitor. “Edhe dekori i përgatitur për festat e fundvitit është mirëpritur nga këta banorë”, – përfundoi Demo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re