“Kur linda, doktori më tha që djali ka lindur me një puçërr, flluskë në kurriz, si kur digjet lëkura e njeriut, ashtu ishte. Nëse kjo bën vaki të shpërthejë më tregoi doktori, mund të kalojë në meningjit.
Kështu ne vendosëm ta kalojmë në operim prej merakut. Djali ishte i vogël, 3 muajsh. Këmbët i lëvizte, por ditën tjetër (pas operacionit) nuk i lëvizte këmbët. Doktori e pa dhe më tha “e di si është puna, nuk kemi të garantuar as jetën tonë”… nuk e pranoi që ishte gabimi i tij. I vendosën një diagnozë të keqe, tumor në shtyllën kurrizore, por po të ishte ajo lloj sëmundje, djali nuk do të jetonte sot.”
Kështu e kujton kjo nënë, ditën kur u përball me sprovën më të madhe të jetës së saj. I biri, Eljo, nuk mundi të ecë dot kurrë e përgjatë viteve u detyrua të qëndrojë në një karrige me rrota.
Kimetja, nëna e të riut, tregoi në një intervistë për abcnews, se lajmi se i biri nuk do të mund të ecte dot, ishte një dhimbje e papërshkrueshme që i tronditi zemrën, i sëmuri shpirtin.
“E pritëm veç me të qara… e kam qarë saa…nuk bëhet më. Thoja pse më ndodhi mua kjo gjë? Gjithë jetës sime jam munduar me forcat e mia, të punoj. Shumë ëndrra kisha për djalin…”-shpjegon nëna e përlotur.

Por teksa vitet kalonin, kjo nënë vendosi të mos dorëzohet. Të birin e dërgoi për fizioterapi për t’i lehtësuar dhimbjet dhe në shkollë. Kudo dhe kurdo në krah të të birit, kjo nënë dha gjithçka nga vetja për ta shkolluar Eljon.
“Eljon e kemi dërguar në fizioterapi. Edhe në çerdhen distrofike në kombinat e kemi çuar. Djali i jam përkushtuar totalisht, saqë edhe djali tjetër më thoshte do më shumë Eljon… por unë s’mund ta lija djalin të fundosur. Unë për veten time nuk kujdesem, çfarë të kujdesem për veten, dua vetëm për fëmijët”-thotë Kimetja.
“Mami ka qenë gjithmonë, gjithmonë këmbët e mia ka qenë. Për arsimimin ka ngulur gjithmonë këmbë. “-tregon i biri për abc.

Kimetja tregon se teksa i biri rritej, shumëkush i thoshte se përse shpenzonte paratë për ta shkolluar të birin, duke ditur sesa e vështirë është të punësohet një person me aftësi të kufizuara. Pavarësisht të gjitha fjalëve, kjo nënë vijon t’i qëndrojë besnike misionit dhe sakrificës së saj, të shkollojë të birin dhe t’i gjendet pranë deri në fund të jetës së saj.
“Më kanë thënë njerëit në sy, pse po bën sakrifica që po e çon djalin në shkollë?
Çdo ditë e sjell djalin në shkollë (universitet). E pres në shkollë, nuk dal ta pres lokaleve se fundja ato lekë që kam i çoj për fizioterapinë e djalit.”-thotë Kimetja.


