Mjekja pneumologe shqiptare Brunilda Marku, që punon në një repart COVID-19, në spitalin e Ferrarës, është krenare për bashkatdhetarët e saj, mjekë e infermierë, që po punojnë përkrah kolegëve italianë, në spitalet e Lombardisë.

Në një intervistë të dhënë për mediat italiane ajo u shpreh se: “Shqipëria i ka borxh aq shumë Italisë pasi gjithmonë e ka ndihmuar dhe mbështetur atë në momentet më të errëta në historinë e 30 viteve të fundit, kështu që unë jam e lumtur që vendi im i vogël ka bërë diçka me mundësitë e tij.

Në vendin tim thonë: “Bukë, kripë dhe zemër të mirë”.

Prandaj, besojmë se në këtë ne kemi vënë mbi të gjithë zemrën tonë”.

Mjekja Marku tregon dhe për eksperiencën e saj profesionale që po kalon këto ditë në përballje me koronavirusin që sipas saj është një virus që dihet pak për të, por flitet shumë.

“Kjo urgjencë na gjeti në vijën e frontit sepse, nga fillimi i marsit (saktësisht nga 10 mars), shtrimi në spital është bërë në një repart të pneumologjisë COVID-19. Si çdo patologji e re, për të cilën dihet pak, por dëgjojmë shumë, kam pasur një frikë dhe hutim, por u përpoqa të shoh anën pozitive në këtë situatë të tërë”, ka thënë Marku.

Ajo, më tej shprehet se izolimi në shtëpi qëndron në themel të strategjisë kundër përhapjes së koronavirusit.

“Këshilla ime është të qëndroni në shtëpi dhe të mos dilni përreth. Është e vetmja rrugëdalje nga kjo situatë.

Pasi të kemi mbaruar, të gjithë do të festojmë”, thotë mjekja.

Marku është larguar nga Shqipëria në moshën 18 vjeçare për të vazhduar studimet e larta për mjekësi në Itali, një dëshirë e vjetër fëmijërore e saj për të vënë veten në shërbim të të tjerëve.

Prej më shumë se 20 vitesh, ajo jep kontribut në sistemin e shëndetësisë italiane.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re