“E para nuk doli dhe aq mirë… sa këto që bëj sot”

Kështu thotë Përparimja, e cila prej kohësh thur me grep kukulla. Punën me grep ajo e mësoi në moshë të parë, por vetëm dy vite më parë, vajza e nxiti të thurte kukulla. Përparimja e dëgjoi fjalën e të bijës dhe nisi të thurë kukulla nga të gjitha llojet.

Ana flokëkuqja, princesh Elsa, Supërman-i e Spiderman-i, janë vetëm disa nga thurjet e kësaj gruaje, e cila i shet kukullat në fshatin turistik të Tushemishtit.

Zonja Përparime tregon se më të vështira në krijim mbeten heronjtë që pëlqejnë më së shumti djemtë. Ajo shpenzon jo pak, por plot 4 orë për një kukull. Ndërkohë që çmimi për to, është modest.

“Kënaqësia më e madhe është kur i marrin fëmijët, kur kënaqen me to… vajza më motivon të punoj. Kur shikon filmat, më thotë mami kjo të shkon shumë ta bësh. Kam dy vite që punoj dhe me të shikuar arrij t’i bëj kukullat.

Më të vështirët për t’u realizuar janë të djemve, kërkojnë më tepër në detaje. Supermeni është i vështirë… 4 orë punë duhen, ndoshta mund t’ju duket qesharake apo gjë që nuk vlerësohet, por unë me 5 mijë lekë jam e kënaqur, duke e ditur se kënaq një fëmijë.

Duke parë që disa fëmijë ngulin këmbë e prindërit nuk kanë mundësi… kam bërë edhe ulje për ta, se prind jam dhe vetë.

Kukullat me veshje popullore preferohen nga shqiptarët e Kosovës. Kur i shohin vijnë dhe marrin. Ndonjëherë shoh vajzat në rrugë dhe inspirohem prej tyre… e u them hajde se të kam bërë kukull”-tregoi Përparimja në një intervistë për abcnews.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re