Nga muaji në muaj, produktet e bulmetit po shtrenjtohen në mënyrë të vazhdueshme, duke në vënë në vështirësi një pjesë të mirë të familjeve për t’i blerë.
Nga 15 shkurti, çmimet e nënprodukteve të qumështit janë gati 40% më të larta, çka do të thotë se 1 kg djathë deleje po shitet mbi 1.100 lekë, ndërsa djathi i dhisë ka kapur çmimin prej 1.200 lekësh/kg
Faktori kryesor, që përpunuesit rendisin për këtë shtrenjtim të paprecedentë, është mungesa e qumështit në treg.
Syrja Tomorri, i cili prej 23 vitesh përpunon qumësht në baxhon e tij në Roskovec, pohon se më parë grumbullonte një sasi më të madhe qumështi nga fermerët, ndërsa sot, po shkon drejt importit.
SYRJA TOMORRI
PERPUNUES QUMESHTI
“Numri i krerëve ka rënë. Kjo ndikon në punën tonë dhe nëse vazhdon kështu situata, do t’i drejtohemi produkteve të importit. Para 7-8 vitesh kishte shumë prodhim, ndërsa tani ka rënë sasia. Do t’i drejtohemi qumështit të importit. Gjatë verës ka mungesë qumështi dhe nëse fermeri nuk do të subvencionohet nga shtetit, që të ketë mundësi të zgjerohet dhe të shtojë nr e krerëve.”
Ndërsa përpunuesi i qumështit në Fier, Ylli Gega, shprehet se rreziku i falimentit të baxhove është i madh.
YLLI GEGA
PERPUNUES QUMESHTI
“E grumbulloj qumështin në fshat. Është pakësuar sasia me gati 50%. Derisa sasia është e paktë, edhe punëtorët do t’i reduktojmë. Djathi i lopës nga 450 lekë, ka shkuar 600 lekë kg. Do të detyrohem ta mbyll, nuk punoj me produkte importi.”
Për kreun e Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Ervin Resuli, kompanitë po abuzojnë me çmimet e bulmetit dhe po monopolizojnë tregun.
ERVIN RESULI
SHOQATA PER MBROJTJEN E KONSUMATORIT
“Ne kemi ngritur si shqetësim rritjen në mënyrë të koordinuar të tregut. Pra, kemi një monopolizim të tregut dhe një ndërhyrje në treg të kompanive që kanë rritur çmimet për të rritur fitimet. Viktimë e këtij problem janë konsumatorët që kanë rritur shpenzimet e tyre familjare.”
Për të nxjerrë blegtorinë nga kriza, ekspertët e bujqësisë kërkojnë që blegtorët të rimbursohen direkt për çdo litër qumësht.
Ndërkohë, mungesa e qumështit ka bërë që prodhuesit të abuzojnë, duke nxjerrë në treg produkte me sasi të mëdha qumështi pluhur dhe niseshteje.